Saktësisht 1 mijë e 298 banorë të komunave të rajonit të Gjilanit u gjobitën për shkak të mosrespektimit të masave anti-COVID, brenda një jave, raporton Gazeta Sinjali.
Lajmin e ka bërë të ditur zyra e Policisë së Kosovës nga ky rajon, përmes një komunikate për media.
“Policia e Kosovës, gjatë zbatimit të masave të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës dhe institucionet e Shëndetësisë si pasojë e pandemisë Covid 19, për periudhën kohore njëjavore, 14 tetor 2020 deri më 21 tetor 2020 , në të gjitha shtatë komunat e rajonit të Gjilanit, kanë shqiptuar gjithsej njëmijë e dyqind e nëntëdhjetë e tetë (1298) fletë paraqitje për mosrespektim të këtyre masave”, thuhet në kumtesë.
Nga ky rajon po ashtu njoftojnë se policia ka asistuar inspektorët sanitarë komunalë në kontrolle të lokaleve hoteliere, të cilat bëjnë të ditur se janë hasur duke shkelur masat e vendosura nga Qeveria e Kosovës.
Me këtë rast, policia ka apeluar qytetarët që t’i respektojnë me përpikëri masat anti-COVID, duke thënë se ky institucion dhe të gjitha institucionet e tjera kanë qëllim ruajtjen e shëndetit të qytetarëve, në të kundërtën paralajmëron se moszbatimi i këtyre masave do të ketë konsekuenca ligjore./Gazeta Sinjali/