image "Policia na rrahu në veturë dhe në stacion policor", flet për Gazetën Sinjali pronari i restorantit “Extra Fish”

Siguri

“Policia na rrahu në veturë dhe në stacion policor”, flet për Gazetën Sinjali pronari i restorantit “Extra Fish”

news image

Gazeta Sinjali ka raportuar në vazhdimësi për ndërhyrjen e Policisë së Kosovës në restorantin “Extra Fish” në lagjen “Pejton” të Prishtinës, më 8 mars të këtij viti.

Kjo ndërhyrje e policisë dyshohej se kishte të bënte me rezistimin e pronarit dhe stafit të këtij restoranti kur inspektorët kishin shkuar për të shqiptuar gjobë për shkelje të masave anti-COVID.

Kundërshtimi i gjobës prej 2000 eurosh, solli në restorant policinë, të cilët, sipas pronarit të këtij restoranti, Valon Muja, pa asnjë fjalë dhe asnjë kërkesë kanë sulmuar me sprej syve pronarin, të cilin pasi që e kanë prangosur kanë filluar ta sulmojnë me grushte në kokë.

Dhunë fizike, sharje dhe ofendime ndaj pronarit dhe kuzhinerit të këtij restoranti, policia dyshohet se përdorën edhe në veturën zyrtare, si dhe brenda hapësirave të stacionit policor – Qendra.

Për këtë rast, Muja madje ka paraqitur ankesë në Inspektoratin Policor të Kosovës kundër zyrtarëve policorë për “përdorim të forcës joproporcionale” dhe se IPK tanimë veçse ka nisur hetimet për këtë rast.

Më poshtë e gjeni rrëfimin e pronarit të “Extra Fish”, Valon Mujës për Gazetën Sinjali lidhur me ngjarjen që ndodhi natën e 8 marsit.

Më 8 mars, në restorantin “Extra Fish” në lagjen “Pejton” të Prishtinës, ishte organizuar një mbrëmje muzikore për nder të Ditës Ndërkombëtare të Gruas.

Pronari i këtij restoranti, Valon Muja, tha për Gazetën Sinjali se në hapësirën prej 300 m2 kanë qenë rreth 45 persona, duke respektuar kështu distancën dhe të gjitha masat antiCOVID-19 të vendosura nga qeveria në detyrë.

Muja thotë se në orën 22:03, kur klientët veçse kishin filluar të largoheshin nga restoranti, aty është futur policia dhe inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, të cilët thotë se ia kanë kërkuar certifikatën e biznesit dhe letërnjoftimin.

Pasi që ai ua kishte dhënë atyre dokumentet, Muja thotë se policia dhe inspektorët kanë kërkuar që ta gjobisin çdo klient dhe atë si biznes.

Mirëpo, për shkak se përmes kamerave të sigurisë është dëshmuar se klientët kanë filluar të dalin nga lokali qysh para orës 22:00, Muja thotë se inspektorët e AVUK-ut ia kanë shqiptuar një gjobë me vlerë të 2 mijë eurove vetëm biznesit.

Për shkak të dëmeve që ai dhe gastronomët në përgjithësi i kanë pësuar nga pandemia, Muja thotë se ka kërkuar nga inspektorët që t’ia zbresin gjobën.

“Unë kërkova nga inspektorët që të mos më japin gjobën në vlerë 2000 euro, pasi që kemi pasë edhe vështirësi që të mbijetojmë në këtë kohë pandemie. Pasi që inspektorët vendosën që gjoba të mbetet 2000 euro, unë kam fillu të ankohem dhe nga halli që kemi pas në këto kohëra të vështira, ju kam thënë me fjalë goje ‘A jeni normal? Jeni të pamëshirshëm’ dhe jam shprehur nga pakënaqësia vetëm me fjalë goje”, tha Muja për Gazetën Sinjali.

Vetëm pesë minuta më vonë, pasi që ai ishte ulur në restorant dhe kishte filluar të bisedonte me stafin e tij për “padrejtësinë” të cilën thotë se iu bë, Muja thotë se në lokal janë futur Policia e Kosovës.

“Pas diku 5 minuta janë futur policia brenda dhe kanë ardhë me shpejtësi aty ku isha ulur dhe pa na thënë asnjë fjalë të vetme dhe pa asnjë kërkesë, me një distancë minimale ma kanë drejtu edhe më kanë hedh sprej në fytyrë. Në atë moment na kanë shtri në tokë dhe m’i kanë vendosur prangat. Pastaj më kanë goditur në kokë me grushte, ku si pasojë e kësaj kam pësuar lëndime të rënda në kokë dhe në vesh, ku më kanë shkaktuar dëmtim në dëgjim në veshin e majtë”.

Në ato momente, pronari i “Extra Fish” thotë se ka dëgjuar familjarët dhe stafin duke bërtitur nga frika që u kanë shkaktuar policia, duke u drejtuar armët dhe duke u hedhur sprej syve një pjese të stafit.

Disa nga zyrtarët policorë, Muja thotë se e kanë rrahur atë, kuzhinierin nga Shqipëria dhe një kamarier.

“Pasi që më kanë dërgu në stacion policor – Qendra, direkt kur më kanë hapur derën e veturës kanë fillu të më godasin në kokë, duke më ofenduar dhe më kanë rrahur edhe në korridorin e stacionit policor, si dhe në dhomën ku na kanë mbajtur disa orë. Më kanë rrahur mua dhe kuzhinierin nga Shqipëria”, rrëfen Muja.

Muja tha se për shkak të goditjeve që kuzhinieri, Trifon Lala, ka marrë në kokë, ai ka pësuar lëndime në nofull, vesh dhe pjesë të ndryshme të trupit.

Lidhur me këtë rast, Muja thotë se si pronar i kompanisë “Extra Fish”, ka parashtruar ankesë kundër zyrtarëve policorë në Inspektoratin Policor të Kosovës, së bashku me të gjitha dëshmitë nga kamerat e sigurisë, si dhe raportet e mjekëve për lëndimet serioze që thotë se i kanë marrë në trup e në kokë.

“Në bashkëpunim me avokatin që na përfaqëson, me Besnik Berishën, kërkojmë nga organet e rendit që ky rast të merret parasysh dhe fajtorët të dalin para drejtësisë dhe ata që na rrahën brutalisht dhe që na dëmtuan imazhin e kompanisë, të marrin dënimin e merituar, si dhe të përgjigjen për të gjitha dëmet që na kanë shkaktuar”, përfundoi ai./Gazeta Sinjali/