image Policia mohon se dikush tentoi të kidnapojë një fëmijë në Plemetin të Obiliqit

Siguri

Policia mohon se dikush tentoi të kidnapojë një fëmijë në Plemetin të Obiliqit

news image

Policia e Kosovës ka reaguar lidhur me informacionet e publikuara në mediat serbe, sipas të cilave, në fshatin Plemetin të Obiliqit  ka ndodhur një “tentim kidnapim” të një fëmiës 9-vjeçar, transmeton Gazeta Sinjali.

Sipas policisë, këto publikime janë të pasakta dhe me tendenca dashakeqe për qëllime të caktuara që nuk i shërbejnë ruajtjes së rendit, qetësisë dhe sigurisë së përgjithshme për të cilën thonë se po punon me përkushtim dhe profesionalizëm.

Policia njofton se sot rreth orës 14:00 ka pranuar informacion se një qytetar i komunitetit serb në banim me fshatin Plemetin të Obiliqit, lidhur me dyshimet për tentim të kidnapimit të fëmijës së tij, por të cilat sipas policisë kanë rezultuar jokredibile.

“Policia e Kosovës ka ndërmarrë veprimet e menjëhershme duke dërguar njësinë policore së bashku me hetuesit policorë, të cilët  kanë kontaktuar dhe biseduar me palën ankuese lidhur me thirrjen telefonike. I njëjti ka njoftuar se fëmija i tij kishte ardhur në shtëpi duke vrapuar, ku sipas tij, një veturë ishte ndalur pranë tij dhe fëmija është frikësuar, ngase sipas tij kishin tentuar ta fusnin në veturë”, thuhet në reagimin e policisë. Zyrtarët policorë në prezencën e prindit kishin zhvilluar një bisedë verbale me fëmijën, duke vërejtur që deklaratat dhe informacionet e tija ishin kundërthënëse dhe jokredibile, të cilat ngjallnin dyshime”, thuhet në komunikatën e policisë.

Sipas policisë, edhe prindi i fëmijës nuk ka qenë i interesuar që të jep deklaratë ose të iniciojë rast, pasi që edhe ai, njofton policia, e kishte kuptuar dhe ngritur dyshime se një gjë e tillë kishte ndodhur.

Policia njofton se janë marrë të gjitha veprimet policore në konsultim dhe bashkërendim me prokurorin kompetent.

Madje, policia njofton se ka verifikuar edhe kamerat dhe sipas incizimeve të intervalit kohor të lajmëruar, prej orës 12:30-13:45 kanë kaluar gjithsej (10) vetura dhe asnjë prej tyre, nuk përputhet me deklarimet e fëmijës.

“Policia e Kosovës për të ruajtur rendin dhe garantuar sigurinë publike ka hartuar një plan veprimi operacional konkretisht në fshatrat e përziera (multietnike), gjegjësisht fshatin Babimovc, Plemetin dhe Vodicë, duke shtuar veprimtarinë patrulluese, si në aspektin preventiv po ashtu edhe operativ, me qëllim të parandalimit të ndonjë veprimi që ka për qëllim cenimin e sigurisë së qytetarëve tanë pavarësisht etnitetit që i takojnë ata”, përfundon komunikata./Gazeta Sinjali/