Policia e Kosovës përmes raportit 24-orësh ka konfirmuar se në fshatin Bërnicë e Poshtme të Prishtinës mbrëmë pati të shtëna me armë zjarri, por mohon raportimin e disa mediave në Serbi e Kosovë, sipas të cilave, ky ishte një sulm ndaj disa të rinjve serbë, raporton Gazeta Sinjali.
Sipas policisë, rreth orës 19:20 në këtë fshat pati të shtëna me armë zjarri nga dy persona të panjohur, por nuk dihet drejtimi i të shtënave.
Në vendin e ngjarjes kanë qenë dy të rinj të komunitetit shqiptar, të cilët kanë raportuar se derisa kanë qenë në oborrin e shkollës kanë pasur një konfrontim me të dyshuarit.
Ata kanë dëshmuar në polici, se njëri nga të dyshuarit ka shtënë me armë zjarri, derisa ka qenë duke u larguar nga oborri i shkollës.
Policia njofton se në vendin e ngjarjes është gjetur dhe është sekuestruar një gëzhojë dhe rasti është iniciuar si “përdorim i armës”./Gazeta Sinjali/