image Policia kap grupin kriminal që bashkëvepronte në Shqipëri dhe Kosovë, konfiskohen 56 kg drogë

Siguri

Policia kap grupin kriminal që bashkëvepronte në Shqipëri dhe Kosovë, konfiskohen 56 kg drogë

news image

Policia e Kosovës ka realizuar sot një operacion në rajonin e Mitrovicës së Jugut dhe në Fushë Kosovë, ku janë arrestuar pesë persona dhe janë konfiskuar mbi 56 kilogramë substancë narkotike e llojit marihuanë.

Përmes një komunikate për medie, Policia njofton se operacioni është kryer në bashkëpunim dhe koordinim me prokuroritë kompetente, ku pasë hetimeve të zhvilluara janë identifikuar personat e dyshuar të cilët dyshohet se në bashkëveprim trafikonin narkotikë nga Shqipëria në Kosovë dhe pastaj jashtë Kosovës, raporton Gazeta Sinjali.

“Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve policore fillimisht në lagjen Uglar të Fushë Kosovës është identifikuar i dyshuari (transportieri) i parë (S.B,) i cili drejtonte një veturë të tipit Mercedes, me të cilën transportonte substancën narkotike të fshehur në bunkerin e modifikuar të veturës. Më pastaj përmes Pikës Kufitare Vërmicë ka hyrë edhe i dyshuari i dytë (B.R,) me veturën e tij po ashtu të tipit Mercedes, i cili ka vazhduar në drejtim të Mitrovicës Jugu ku e priste personi i tretë (N.M,), me të cilin kanë vazhduar në shtëpinë/garazhin e të dyshuarit e cila gjendej në fshatin Vaganicë”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Në cilësi të provave materiale, Policia ka konfiskuar mbi 56 kilogramë substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, tri vetura të tipit Mercedes, shtatë telefona celularë si dhe mbi 10 mijë euro dhe disa monedha Lek të Shqipërisë dhe Denar të Serbisë.

Me vendim mbi ndalimin e personave, katër të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit mbi dyshimin e bazuar për përfshirje në veprën penale “Blerja, posedimi shitja e paautorizuar e substancave narkotike psikotropike dhe analoge”, ndërsa i dyshuari i fundit vazhdon në procedurë të rregullt.

/GazetaSinjali/