Policia e Kosovës ka dhënë detaje për arrestimin e personit të dyshuar, i cili u prezantua rrejshëm si hetues policor te ish-kandidatja për deputete, Adriana Hoxhiq, duke i kërkuar asaj 30 mijë euro për mbylljen e një rasti të keqpërdorimit, në të cilin pretendonte se është e përfshirë ajo.
Sipas policisë, i arrestuari me iniciale Xh.M, dyshohet se ka kryer veprat penale “Mashtrim” dhe “Prezantim i rremë si person zyrtar”, raporton Gazeta Sinjali.
Policia bën të ditur se i dyshuari në vazhdimësi i ka mashtruar palët, duke u prezantuar si pjesëtar i Policisë së Kosovës (hetues në krime ekonomike), me qëllim të përfitimit material.
“Ai ju ka thëne palëve ankuese se është duke hetuar disa lëndë të ‘Keqpërdorimit të detyrës zyrtare’, por që ai ishte në gjendje t’i rregullonte këto Raste nëse pala ankuese pranonte t’i jepte ryshfet në vlerë prej 30,000 €uro (tridhjetë mijë euro)”, thuhet në njoftimin e policisë.
Për arrestimin e tij, policia njofton se ka bërë simulimin e veprës penale, me ç’rast të dyshuarit i janë dhënë 11 mijë euro, ndërsa ai ka kërkuar që pjesën tjetër Hoxhiq t’ia japë gjatë dy ditëve të ardhshme.
Pas intervistimit, i dyshuari, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Lidhur me këtë rast për Sinjali ka folur Hoxhiq, e cila tha se me arrestimin e tij i është kthyer besimi në sistemin e drejtësisë në Kosovë dhe sipas saj, ky rast është mesazh se po përfundon koha e mashtrimeve dhe shantazheve në Kosovë./Gazeta Sinjali/