Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar dy persona, me inicialet B.B. dhe S.R., të moshës 43 dhe 32 vjeçar, pasi që të njëjtit dyshohet se kanë kryer veprat penale “Prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, analoge apo veglave, pajisjeve apo materialeve narkotike”, shkruan Gazeta Sinjali.
Pas një aktiviteti hetimor, Policia ka zbuluar lokacionin në pjesën veriore të Mitrovicës, ku dyshohej se funksiononte një laborator i narkotikëve.
Gjatë kontrollit, policia ka hasur në laboratorin ku janë gjetur dhe sekuestruar: 26 kilogram e 216 gram marihuanë, 355 rrënjë të bimëve të mbjella në saksi si dhe dëshmi të tjera (gypa ventilimi, ventilator, drita ndriçuese, ngrohëse, instrumente për matjen e temperaturës, pesticide si dhe pajise tjera përcjellëse).
Vlera e lëndës narkotike të konfiskuar është mbi 50.000 (pesëdhjetëmijë) euro.
Për rastin është njoftuar prokurori kujdestar dhe me aktvendim nga ai dy të dyshuarit dërgohen në mbajtje deri në 48 orë.