image Policia hap rast për manipulimin që u bë me apelin për ndihmë për Rion Gashin, persona të njëjtë mashtruan për të dytën herë

Skandaloze

Policia hap rast për manipulimin që u bë me apelin për ndihmë për Rion Gashin, persona të njëjtë mashtruan për të dytën herë

news image

Policia e Kosovës ka iniciuar rast për veprat penale “Mashtrim” dhe “Falsifikim i dokumenteve” lidhur me manipulimin që u bë me apelin për ndihmë për një 2-vjeçar, i cili gjoja vuante nga sëmundja Leukemia Akute Lymphoblastic.

Gazeta Sinjali pati zbuluar se ky apel është një mashtrim dhe se dokumentet e paraqitura në këtë thirrje për ndihmë ishin falsifikuar.

Lajmin se është hapur rast lidhur me këtë mashtrim, për Gazetën Sinjali e kanë konfirmuar nga Policia e Kosovës.

“Policia më 02.10.2020 ka iniciuar rastet ‘Mashtrim’ dhe ‘Falsifikim i dokumenteve’ që lidhen me interesimin për rastin nga ana juaj. Rasti në koordinim me prokurorin kompetent është duke u trajtuar nga ana policore”, thuhet në përgjigjen e tyre, duke mos treguar nëse policia ka arritur që të identifikojë ose arrestojë ndonjë të dyshuar të përfshirë në këtë rast.

Ankesën në polici e ka bërë Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, nga i cili, personat që fshihen prapa këtij apeli kishin pretenduar që kanë marrë 30 mijë euro nga 110 mijë euro sa thonin se kushton shërimi i 2-vjeçarit.

“Nga Klinika përkatëse në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ( Klinika e Hematologjisë) është konfirmuar se dokumenti është i falsifikuar dhe ne si Institucion kemi proceduar lëndën te organet kompetente, (Policia) andaj ata janë duke u marrë me rastin në fjalë”, thuhet në përgjigjen e tyre për Gazetën Sinjali.

Nga ky fond kanë bërë të ditur po ashtu se rasti i Rionit nuk ishte rasti i vetëm i tillë, i montuar nga persona të panjohur.

Sipas tyre, një rast i ngjashëm me atë të 2-vjeçarit ishte edhe ai i Dion Gashit, i prezantuar si një 5-vjeçar nga Gjilani, i cili gjithashtu pretendohej se vuante nga Leukemia Akute.

Personat që kishin publikuar këto dy apele kishin përdoruar dokumentet e njëjta të falsifikuara në të dyja rastet.

Në rastin e parë, i cili ishte publikuar në muajin gusht, kërkohej ndihmë për shërimin e një 5-vjeçari nga Gjilani të paraqitur me emrin Dion Gashi, i cili gjoja vuante nga Leukemia Akute dhe për shërimin e tij nevojiteshin 140 mijë euro, 30 mijë prej të cilave prindërit e paraqitur si Valon dhe Zade Gashi pretendonin se janë siguruar nga Qeveria e Kosovës.

Ndërkaq, në rastin e dytë, ishte ndryshuar emri i fëmijës duke e zëvendësuar me emrin Rion Gashi dhe mosha e tij, kësaj radhe ishte 2-vjeç, ndërkaq emri i babasë së fëmijës këtë herë ishte Afrim.  

Se pas të dyja apeleve fshihen personat e njëjtë, përveç dokumenteve të njëjta që janë përdorur në to, e dëshmon edhe emri i nënës, i cili është edhe emri në të cilin thuhet se është hapur xhirollogaria bankare.

Ani pse janë hapur dy xhirollogari bankare në dy banka të ndryshme, të dy xhirollogaritë janë hapur në emër të të njëjtit person, Zade Gashit, përveçse në rastin e dytë i kanë shtuar edhe një “i”, për ta bërë “Zadie”, megjithëse në dokumentin identifikues i cili erdhi në redaksi të Gazetës Sinjali nga personat që e kanë shpërndarë apelin e dytë, emri i nënës ishte sërish Zade Gashi.

Për rastin e parë është hapur një fond në Gofundme dhe deri në momentin e publikimit të këtij artikulli janë mbledhur gjithsej 1 mijë e 700 franga.

Gazeta Sinjali ka provuar gjatë ditës së sotme që të kontaktojë me numrat e paraqitur në apele, por të njëjtit kanë qenë të paqasshëm.

Gazeta Sinjali po ashtu ka dërguar pyetje në adresë të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, kjo prokurori nuk ka kthyer përgjigje./Gazeta Sinjali/