Policia e Kosovës ka dërguar gjatë ditës së sotme një njoftim për t’i demantuar informatat që mediumet në Serbi janë dhënë se Njësia Speciale e Policisë së Kosovës do të intervenojnë në Mitrovicën e Veriut.
Policia e Kosovës, ka thënë se informatat e publikuara nga mediat në serbi janë tendencioze dhe aspak të drejta. Thuhet se këto informata kanë për qëllim që të dezinformojnë qytetarët e asaj pjesë duke dashur që me mesazhe të tilla të frikësojnë qytetarët, raporton Gazeta Sinjali.
“Shkrimet e tilla nga këto mediume se kinse për këtë rast të apostrofuar, në Veri të Mitrovicës do të dërgohet Njësia Speciale Operative e PK-së, janë tendencioze dhe aspak të drejta, kanë për qëllim dezinformimin e qytetarëve, duke dashur që përmes shkrimeve të tilla të orientojnë mesazhet e tyre politike, të ndjellin frikë tek qytetarët si dhe të tentojnë destabilizimin e asaj pjese të vendit”.
“Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjit dhe të gjitha veprimet e saj operacionale i bazon në procedurat e parapara ligjore, duke zbatuar me përpikëri dhe profesionalizëm të lartë detyrat dhe autorizimet policore bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet e aplikueshme në funksion të luftimit të dukurive negative dhe krijimit të një ambienti më të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallime”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Më tutje sqarimi thotë se Policia e Kosovës ka kryer me kohë përgatitjet për zgjedhje të lira dhe të mbizotërojë një klimë e qetë.
“Vlen të theksohet se sa i përket procesit të zgjedhjeve, Policia e Kosovës me kohë ka bërë të gjitha planifikimet e nevojshme operacionale në nivel vendi, për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, plan ky i cili parasheh krijimin e një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës si dhe mbajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve”.
“Andaj, Policia e Kosovës reagon fuqishëm ndaj këtij shkrimi të pavërtetë dhe inkurajon të gjithë qytetarët që të mos bien pre e dezinformacioneve të tilla, por t’iu referohen informacioneve zyrtare, si dhe njëherit të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës e cila do të kujdeset për garantimin e sigurisë dhe ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike në tërë vendin”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.