Në 20-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, njësitet speciale në kampin e Vrellës kanë prezantuar kapacitetet e tyre para mysafirëve të pranishëm.
Njësitet Speciale Operative, intervenuese dhe K9 apo që njihet si Njësia e Qeneve kanë inskenuar dy situata të ndryshme në të cilat ata intervenojnë.
Njësia operative e shoqëruar nga policia e rendit kanë treguar kapacitet e tyre në një protestë të inskenuar ku pati ndërhyrje nga njësia operative duke hedhur gaz lotsjellës dhe shok bomba.
Ndërsa njësia intervenuese dhe njësia K9 apo ajo e Qenve kanë treguar kapacitete tyre në një aksion te improvizuar ndaj një grupi terrorist.
Pas këtij ushtrimi drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj duke e konsideruar si të suksesshëm këtë ushtrim tha se ky ushtrim tregon funksionin e Policisë së Kosovës.
Tutje ai ka falënderuar të gjitha institucionet vendore dhe ndërkombëtare që kanë ndihmuar Policinë e Kosovës.
“Një ushtrim i suksesshëm që e bëni në vazhdimësi dhe një ushtrim i cili u tregon të gjithëve se si funksionin Policia e Kosovës, se si koordinohen njësitet e saj besoj që është mënyra më e mirë e mundur që njësitë të komunikojnë dhe të bashkëveprojnë veprimet në situata te tilla të vërteta. Ne edhe në të kaluarën kemi punuar kështu dhe do të vazhdojmë me zhvillim sa më shumë dhe sa më mirë të konceptit kosovar të menaxhimit të turmave. Më lejoni tu falënderoj të gjithëve për punën që keni bërë gjatë këtyre ditëve për mundin që keni bërë, situatat që keni kaluar gjatë këtij ushtrimi besoj që nuk kanë qenë lehtë duke pasur parasysh temperaturat e larta dhe angazhimin tuaj në detyra të rregullta”, tha ai.
Gjatë këtij ushtrimi në kampin Vrellë të gjithë të pranishmit janë njoftuar edhe me pajisjet që i ka në dispozicion Policia e Kosovës për të ofruar siguri për qytetarët e Kosovës.