image Policia e Kosovës: Si rezultat i barrikadave kemi mbyllur përkohësisht kufirin në Jarinje

Siguri

Policia e Kosovës: Si rezultat i barrikadave kemi mbyllur përkohësisht kufirin në Jarinje

news image

Policia e Kosovës përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se serbët në veri të Republikës së Kosovës kanë filluar vendosjen e barrikadave me qëllim të pengimit të dërgimit të ish-policit Dejan Pantiç drejt organeve të drejtësisë.

Siç kanë konfirmuar nga Policia, bllokimi i rrugëve ka ndodhur në Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok duke pamundësuar kështu lëvizjen e lirë dhe mallrat.

Nga PK thonë se derisa rrugët janë të bllokuara, pika kufitare në Jarinje është mbyllur përkohësisht dhe kanë ftuar qytetarët që të shfrytëzojnë pikë kalimet tjera për qarkullim.

 “Me qëllim të pengimit të veprimeve policore dhe sjelljes para organeve të drejtësisë së personit të dyshuar, persona/grupe të caktuara në orët e pasdites kanë filluar të grumbullohen dhe të vendosin barrikada me automjete dhe mjete të rënda.

Bllokimi i rrugëve ka ndodhur kryesisht në disa rrugë, përfshirë edhe rrugë nacionale të komunave të Leposaviçit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, duke cenuar dhe pamundësuar lirinë e lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe mallrave”, thuhet në njoftimin e Policisë.

“Si masë paraprake të sigurisë, përderisa rrugët janë të bllokuara në drejtim të Pikës Kufitare Jarinje, Policia e Kosovës të njëjtën e ka mbyllur përkohësisht për qarkullim, andaj qytetarët të shfrytëzojnë pikat tjera kufitare për qarkullim.

Si çdo herë Policia e Kosovës, fton qytetarët që të mos bien pre e thirrjeve apo provokimeve të mundshme nga persona apo grupe kriminale, por të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës e cila do të vazhdojë të angazhohet për ofrim të sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallime, sjelljen para organeve të drejtësisë së personave të dyshuar, si dhe ruajtjen e rendit Kushtetues të Republikës së Kosovës”, thekson komunikata.

/GazetaSinjali/