Policia e Kosovës është duke e zbatuar vendimin e Serbisë për futjen në karantinë të Komunës së Mitrovicës Veriore dhe asaj të Zveçanit dhe izolimin e qindra qytetarëve në komunat e tjera në veri të territorit të Kosovës, raporton Gazeta Sinjali.
Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Sinjali, Besim Hoti, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës Veriore.
Por, Hoti e mohoi se një vendim i tillë është marrë nga Serbia. Sipas tij, vendimi në fjalë ka ardhur nga shtabet e krizave të komunave në fjalë me qëllim të mbrojtjes së qytetarëve nga pandemia COVID-19 dhe si i tillë tha se po zbatohet nga Policia e Kosovës.
“Po, kjo masë po zbatohet nga Policia e Kosovës. Policia nuk interpreton vendime, por zbaton vendime të cilat vijnë në kuadër të urdhrit operativ për gatishmëri për COVID-19. Ne zbatojmë urdhra që na vijnë neve edhe nga drejtoria e përgjithshme, prandaj nuk interpretojmë vendimet që vijnë pushteti lokal dhe niveli qendror. A e dini që edhe shtabet e krizave në nivel lokal marrin vendime të tilla, ju e dini sa është numri i të infektuarve aty. Është vendim i nivelit lokal, për çështje të mbrojtjes së shëndetit, nuk është vendim i karakterit politik, duhet të mbrohen qytetarët. Qytetarët duhet të mbrohen edhe në komunat e tjera, nga numri që ka shpërthyer si virus në numër në veri e Zveçan, prandaj duhet të ndërmerren masa që me i mbrojtë qytetarët, nuk e shoh pse e politizoni pa nevojë”, tha Hoti për Gazetën Sinjali.
Vendimi për karantinimin e Komunës së Mitrovicës Veriore dhe Komunës së Zveçanit dhe izolimi i qindra qytetarëve të tjerë në komunat veriore, për të cilin Policia e Kosovës thotë se ka ardhur nga shtabet e krizave të këtyre komunave, faktikisht është marrë nga strukturat paralele të Serbisë në Kosovë, dokumente të cilat mbrëmë u publikuan nga Gazeta Sinjali.
Lidhur me këtë çështje, Gazeta Sinjali ka dërguar pyetje dhe ka provuar të kontakojë me Qeverinë në detyrë të Kosovës, por ende nuk ka pranuar përgjigje.
Përgjigje në pyetjet e Sinjalit nuk ka dhënë nga Ministria e Punëve të Brendshme e Qeverisë së Kosovës./Gazeta Sinjali/