Policia e Kosovës ka hartuar planin operacional për menaxhimin e sigurisë në zgjedhjet e 6 tetorit.
Në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës, nën udhëheqjen e drejtorit të Përgjithshëm, Rashit Qalaj bashkë me menaxhmentin ka takuar zëvendësdrejtorët e PK-së, drejtorët e departamenteve, divizioneve, drejtorive rajonale, komandantët e stacioneve policore dhe përfaqësues të ICITAP-it amerikan, të cilët u njoftuan lidhur me planifikimet, vlerësimet dhe angazhimet policore në ofrimin e sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, si një proces mjaft i rëndësishëm për vendin.
Takimi, siç njofton Policia, u mbajt për të diskutuar për angazhimin e Policisë së Kosovës në implementimin e planit policor për “Zgjedhjet e parakohshme parlamentare -2019”.
Drejtori Qalaj gjatë këtij takimi potencoi se “krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës si dhe mbajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve, është primare për Policinë e Kosovës”, thuhet në njoftim.
Aty thuhet gjithashtu se “njëkohësisht nga të gjithë eprorët e lartë policorë u kërkua që të gjitha detyrat dhe angazhimet e parapara me planin policor për zgjedhjet, të realizohen me profesionalizëm dhe me përkushtim të lartë, po ashtu të njoftohen të gjithë zyrtarët policorë lidhur me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre ligjore gjatë procesit zgjedhor, me qëllim të përmbushjes së misionit dhe vizionit të PK-së”.
Planifikimi operativ ka paraparë implementimin dhe realizimin e operacionit policor në katër faza, siç është filluar nga periudha parazgjedhore apo përgatitore vlerësuese, pastaj angazhimi në ofrimin e sigurisë gjatë fushatës parazgjedhore, angazhimi dhe garantimi i sigurisë në fazën kyçe të ditës së zgjedhjeve si dita (Z), si dhe periudha pas zgjedhjeve që parasheh transportin nën përcjellje dhe siguri të PK-së të materialit sensitiv e deri në përfundim të procesit.
“Policia e Kosovës do të angazhojë një numër të mjaftueshëm të zyrtarëve policorë të profileve të ndryshme, që iu përkasin njësiteve të ndryshme brenda Policisë së Kosovës, si dhe ka marrë masa shtesë duke caktuar edhe koordinatorë të Policisë me KQZ-në dhe institucionet tjera të angazhuara në këtë proces”, thuhet në njoftim./Gazeta Sinjali/