image Policia e Kosovës konfiskon gjashtë armë për 24 orë

Kosovë

Raporti/ Policia e Kosovës konfiskon gjashtë armë për 24 orë

news image

Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit ka konfiskuar gjashtë armë në pesë raste të ndryshme.

Arma e parë është konfiskuar në Prishtinë, pak minuta pas mesnatës, pas kontrollit në veturën e një të dyshuari, i cili u arrestua nga Policia dhe urdhër të prokurorit, pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.

Gati një orë më vonë në Klinë është arrestuar i dyshuari mashkull K/Shqiptar, pasi gjatë kontrollit në veturën të cilën kishte qenë duke e drejtuar është gjetur dhe është konfiskuar një pistoletë me 14 fishekë. Me urdhër të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.

Në Kamenicë raportohet se rreth orës 15:30, gjatë kontrollit në veturën e të dyshuarit mashkull K/Shqiptar është gjetur dhe është konfiskuar një pistoletë me një karikator të mbushur me 17 fishekë, për të cilën armë i dyshuari posedon leje për mbajtje e jo për bartje. Me urdhër të prokurorit rasti procedohet në prokurori në procedurë të rregullt.

Dy armë të tjera u konfiskuan në Gjilan rreth orës 18:55, me ç’rast janë arrestuar katër persona të dyshuar meshkuj K/Shqiptarë, të cilët për shkaqe ende të panjohura ishin gjuajtur me armë zjarri në mes veti dhe më pas me vetura ishin larguar nga ai lokacion. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore ku kanë gjetur dhe kanë konfiskuar 13 gëzhoja të fishekëve të dy llojeve kalibrash. Nga dy prej personave të dyshuar janë konfiskuar dy pistoleta dhe një fishek të cilat dyshohet se ishin përdorur në rast. Pas intervistimit me vendim të prokurorit katër personat e dyshuar janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Kurse në Prizren rreth orës 23:20, raportohet se gjatë kontrollit tek i dyshuari mashkull K/Shqiptar është gjetur dhe është konfiskuar një pistoletë me një fishek. Në konsultim me prokurorin lënda e rastit do të procedohet në prokurori në procedurë të rregullt./Gazeta Sinjali/