Policia e Kosovës nga muaji janar deri në muajin dhjetor të vitit 2020, ka arritur të konfiskojë 930 armë të llojeve të ndryshme dhe mbi 22 mijë e 250 municione të llojeve të ndryshme, shkruan Gazeta Sinjali.
Ndërkaq, për vepra të ndryshme penale, përfshirë edhe armëmbajtjen pa leje, policia ka njoftuar se për këta 11 muaj ka arrestuar mbi 9 mijë e 700 persona.
“Si rezultat i punës dhe angazhimeve, Policia e Kosovës me njësitet e ndryshme policore gjatë periudhës njëmbëdhjetë (11) mujore të këtij viti, ka konfiskuar mbi 930 armë të llojeve të ndryshme, përderisa po ashtu ka konfiskuar mbi 22.250 municion të llojeve të ndryshme. Ndërsa gjatë periudhës së njëjtë kohore për vepra të ndryshme penale, përfshirë armëmbajtjen pa leje janë arrestuar mbi 9.700 persona”, thuhet në përgjigjen e policisë për Gazetën Sinjali.
Ndërkohë, nga Divizioni për Armë, Municion dhe Eksplozivë (DAME) në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, kanë bërë të ditur për Gazetën Sinjali se gjatë këtij viti janë lëshuar 4 mijë e 324 leje për posedim të armëve dhe janë vazhduar edhe 1 mijë e 7 sosh.
Për t’u pajisur me leje të armës, personi fillimisht duhet të plotësojë kriteret për pëlqim të blerjes së armës sipas nenit 7 Ligji për armë nr 05/L-022./Gazeta Sinjali/