Përkundër faktit që kanë kaluar mbi 20 vite nga lufta e fundit në Kosovë, kjo luftë ka lënë plagë të pashëruara për secilin shqiptar, çka e bën tejet të vështirë që në mes të qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë të krijohet një raport i shëndoshë njerëzor, sepse shumica prej tyre ende fajësojnë autoritetet serbe për humbjen e më të dashurve të tyre, shkruan Gazeta Sinjali.
Edhe pse komuniteti serb është pjesë e popullatës në Kosovë, shumë prej tyre nuk i respektojnë e as njohin organet, kushtetutën, ligjet, çka bën që ata të sillen në lloj-lloj formash ndaj zyrtarëve të Republikës së Kosovës, duke menduar se nuk do ketë asnjë lloj pasoje.
Gazeta Sinjali mëson se një rast ku zyrtarët policorë të Kosovës janë ofenduar nga një person, i cili dyshohet të jetë i nacionalitetit serb ka ndodhur më datë 16 dhjetor, rreth orës 23:00, ku një person ka telefonuar disa herë zyrtarët policorë të Njësisë së Trafikut me numër të Telekomit të Serbisë.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Policisë së Kosovës bëjnë të ditur se i dyshuari disa herë përmes telefonit ka përdorur fjalor ofendues në baza etnike.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar dhe janë iniciuar hetimet.