image Policia e Kosovës e dërgon në mbajtje pronarin e kompanisë fituese të tenderit 26 mijë eurosh në KEK - Sinjali

Mashtrim/ Policia e Kosovës e dërgon në mbajtje pronarin e kompanisë fituese të tenderit 26 mijë eurosh në KEK

news image

Policia e Kosovës e ka zbuluar një mashtrim lidhur me një tender që i kushtoi Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) mbi 26 mijë euro, raporton Gazeta Sinjali.

Pronari i kompanisë fituese të tenderit për furnizim me dezinfektues për duar është intervistuar dhe është dërguar në mbajtue nga Policia e Kosovës, pasi dyshohet se kompania e tij mashtroi lidhur me përmbajtjen e alkooliy në dezinfektues.

“Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), gjegjësisht Njësiti Rajonal për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Korrupsionit – Prishtinë (NJRHKEK), më 01.04.2020 ka pranuar informatë se në një tender të KEK-ut (tenderin me negocim në vlerë  prej 26.336.00 euro), për furnizim me dezinfektues për duar, ka dyshime për keqpërdorime dhe veprimtari penale nga kompania fituese e tenderit”, njofton Policia.

“Dyshohet se dezinfektuesi që kompania fituese ka sjellë nuk i përmbush kriteret e kërkuara, pasi që dyshohej se përmbajtja e alkoolit në dezinfektues të duarve nuk ishte 70% alkool, ashtu siç ishin kriteret (kërkesa).  Hetuesit policorë, kanë bërë testimin dhe ekspertizën e dezinfektuesit në laboratorin e licencuar të Doganës së Kosovës dhe rezultati del se: dezinfektuesi kishte përmbajtje vetëm 40 % alkool”, theksohet në komunikatën e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë.

Më këto veprime, Policia dyshon se SH.D., pronar i kompanisë, ka kryer veprat penale “mashtrim i konsumatorëve” dhe “mashtrimi i blerësve”.

I dyshuari pas intervistimit nga hetuesit policorë, me aktvendim nga prokurori kujdestar është dërguar në mbajtje për 48 orë. /Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin