image Policia e Kosovës demanton portalin serb: Raportim tendencioz, i pavërtetë dhe dezinformues

Siguri

Policia e Kosovës demanton portalin serb: Raportim tendencioz, i pavërtetë dhe dezinformues

news image

Policia e Kosovës përmes një komunikate i ka reaguar mediumit serb kosovo-online për raportimin se në pikën kufitare në Bërnjak pjesëtarë të policisë kanë tentuar të nxjerrin nga vetura një person e që më pas ka reaguar KFOR-i për ta parandaluar, shkruan Gazeta Sinjali.

Policia e Kosovës këtë shkrim e ka quajtur shkrim tendencioz dhe të pavërtetë që ka për qëllim dezinformimin e opinionit, nxitjen dhe krijimin e pasigurisë tek qytetarët dhe plotësimin e ambicieve të orientuara nga politikat e ndryshme nga jashtë.

Policia e Kosovës, me qëllim informimin e drejtë të opinionit publik, përmes këtij njoftimi zyrtar demanton shkrimin tendencioz dhe të pavërtetë të publikuar në mediumin serb kosovo-online, se kinse në Bërnjak është paraqitur një situatë dramatike, ku kinse pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë tentuar të nxjerrin nga vetura një person dhe KFOR e ka parandaluar incidentin.Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit në të gjitha rastet ndërmerr të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve në fuqi, për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, përfshirë edhe mundësimin e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe të mallrave në të gjitha pikat e kalimit kufitar. Një informacion i tillë, i pavërtetë dhe tendencioz ka për qëllim dezinformimin e opinionit, nxitjen dhe krijimin e pasigurisë tek qytetarët dhe plotësimin e ambicieve të orientuara nga politikat e ndryshme nga jashtë”, thuhet në reagimin e policisë.

Sipas Policisë së Kosovës, rasti nuk ka ndodhur fare as në Bërnjak e as në ndonjë lokacion tjetër.

Referuar informacioneve zyrtare, të verifikuara mirë dhe saktë nga terreni, një rast i tillë nuk ka ndodhur fare, jo vetëm në pikën kufitare në Bërnjak por as edhe në ndonjë lokacion apo pikë tjetër kufitare, andaj kjo është vetëm një informatë e pavërtetë dhe tendencioze. Policia e Kosovës do të vazhdoj angazhimin dhe përkushtimin e saj, në zbatimin e ligjeve dhe kushtetutës së Republikës së Kosovës, në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike në vend dhe ndaj të gjithë qytetarëve pa dallime”, thuhet tutje në komunikatë./GazetaSinjali/