Policia e Kosovës ka demantuar raportimet e mediave serbe rreth përfshirjes së agjensioneve të sigurisë brenda policisë, duke thënë se një gjë e tillë nuk është e vërtetë, shkruan Gazeta Sinjali.
Në operacionin policor i cili është duke u realizuar në nivel vendi, përfshirë pjesën veriore të Kosovës, janë të inkuadruar vetëm zyrtarë të Policisë së Kosovës, thuhet në një komunikatë për media.
“Pretendimet dhe spekulimet e disa mediumeve serbe se në këtë operacion janë të involvuara edhe agjensione tjera të sigurisë janë të pavërteta”, thuhet në komunikatë të Policisë së Kosovës.
Policia e Kosovës gjithashtu thotë se si institucion i zbatimit të ligjit, bazuar në detyrat dhe autorizimet e saj ligjore dhe kushtetuese është e përkushtuar në mbajtjen e rendit, garantimin e sigurisë publike si dhe ndër të tjera menaxhimin dhe kontrollin e qarkullimit kufitar në nivel vendi.
Serbët e kanë kundërshtuar masën e reciprocitetit të targave, duke i mbajtur të bllokuara rrugët që shpien në pikat e kalimit kufitar në veri të Kosovës, Jarinje dhe Bërnjak.
Njësia Speciale Operative të hënën është vendosur në pikë kalimin e vjetër kufitar në mes të Kosovës dhe Serbisë, në Jarinje të komunës së Leposaviqit, për të mbikëqyrur situatën si pasojë e bllokimit të rrugëve nga serbët e atij vendit. /GazetaSinjali/