image Policia e Kosovës arreston tre persona që po mashtronin kosovarët për viza pune në Gjermani

Kosovë

Siguri/ Policia e Kosovës arreston tre persona që po mashtronin kosovarët për viza pune në Gjermani

news image

Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar se kanë mashtruar kosovarët me viza pune në Gjermani.

Në një njoftim për media Policia e Kosovës ka konfirmuar se gjatë janarit dhe marsit të vitit të kaluar tre persona u kanë premtuar qytetarëve të Kosovës viza pune në Gjermani.

Policia thotë se në këmbim të vizave qytetarët kanë paguar shumë të ndryshme të parave, shuma të cilat nuk janë përmendur në njoftim.

“Pas dyshimeve të bazuara në përfshirjen e disa personave të dyshuar në një bashkëpunim me një person tjetër në Gjermani, gjatë periudhës kohore janar-maj të vitit 2019, të njëjtit ju kanë premtuar qytetarëve të Republikës së Kosovës punësim në profesione të ndryshme, e kryesisht në fushën e ndërtimtarisë në shtetin e Gjermanisë, ku në këmbim të kryerjes së këtyre shërbimeve, qytetarët duhet të paguanin shuma të parave në faza të ndryshme (në fazën e aplikimit, fazën e sigurimit të kontratës së punës, si dhe fazën e fitimit të të drejtës për vizë)”.

“Me këtë rast, Policia e Kosovës gjatë fazës së hetimeve, ka aplikuar masat e nevojshme të hetimit të fshehtë, me ç’rast janë mbledhur dëshmitë nga personat e dyshuar”,-thuhet në njoftim.

 Po ashtu, Policia e Kosovës në njoftim ka bërë të ditur se janë sekuestruar 700 euro si dhe tre telefona mobil.

“Në lidhje me rastin janë sekuestruar para në vlerë prej 700 (shtatëqind) euro si dhe 3 (tre) telefona mobil, të cilët do të shërbejnë si prova materiale përgjatë procedurave.  Ndërsa me urdhër të prokurorit, personat e dyshuar të arrestuar dërgohen në mbajtje për 48 orë”, thuhet në njoftim./Gazeta Sinjali/

Personat e dyshuar të arrestuar janë :

I.B. viti i lindjes 1983 M/Shqiptar,

Sh. B.   viti i lindjes  1952                M/Shqiptar

E. P.     viti i lindjes  1996                M/Shqiptar