Tre persona janë arrestuar dje nga Policia e Kosovës nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “kontrabandim me mallra” dhe “dhënie ryshfeti”.
Tre personat e arrestuar janë: B.J (1971), I.J (1974) dhe A.J (1999), shkruan Gazeta Sinjali.
Arrestimin e këtyre personave e ka bërë konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit DHKEK.
Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate për media, ku thuhet se hetimet në lidhje me këtë rast kanë filluar që nga 4 tetori i vitit 2019.
“Sektori për Hetimin e Korrupsionit, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj, kanë filluar hetimet që nga data 4 tetor 2019, duke zbatuar masa të veçanta hetimore, me qëllim të nxjerrjes së provave dhe dëshmive për të dyshuarit e përfshirë në veprat penale. Pas grumbullimit të provave të nevojshme, me datën 20 shkurt 2020, Policia e Kosovës ka realizuar operacionin policor, me ç’rast janë kapur në flagrancë tre persona të dyshuar duke kontrabanduar mallra”, thuhet në komunikatë.
Më tej, bëhet e ditur se me urdhër të Gjykatës Themelore në Ferizaj, janë kontrolluar edhe vendbanimet e personave të dyshuar, ku janë gjetur dhe sekuestruar sasi e konsiderueshme e paketimeve të peshkut të ngrirë dhe mishit të derrit, si dhe janë sekuestruar edhe dy automjete me të cilat janë kontrabanduar mallrat.
Ndaj të dyshuarve me vendim të prokurorit është zbatuar masa e ndalimit./Gazeta Sinjali/