Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka prangosur sot dy persona me inicialet V.B. dhe R.C., me vendbanim në Prishtinë, të dyshuar për veprën penale “Pranim i ryshfetit në sektorin privat”, raporton Gazeta Sinjali.
Dy të arrestuarit, sipas policisë, janë ish-punëtorë të një ish-ndërmarrje publike, e cila është privatizuar – dhe të njëjtit kanë kërkuar dhe marrë ryshfet nga 50 euro ish-punëtorëve ose familjarëve të tyre, kinse për dorëzimin e dokumenteve në Agjencinë e Kosovës për Privatizim (AKP), për të aplikuar për të përfituar 20 %, pa pasur asnjë autorizim paraprak.
Policia njofton se Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Ferizaj, ka arritur që t’i kapë në flagrancë dy të dyshuarit, te njëri prej të cilëve është gjetur kartëmonedha, e cila ishte evidentuar paraprakisht, si masë simulimi.
V.B. dhe R.C. janë intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës, i caktuar sipas detyrës zyrtare dhe me aktvendim të Prokurorit të Shtetit u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë./Gazeta Sinjali/