image Policia e konfirmon dhunimin seksual të 14-vjeçares në Gjilan dhe arrestimin e "të dashurit" të saj 21-vjeçar

Siguri

Policia e konfirmon dhunimin seksual të 14-vjeçares në Gjilan dhe arrestimin e “të dashurit” të saj 21-vjeçar

news image

Gazeta Sinjali mbrëmë raportoi se një 14-vjeçare është dhunuar dhe është detyruar të abortojë në periudhën janar-mars të këtij viti, kur ajo ishte vetëm 13 vjeç, nga një 21-vjeçar me iniciale Sh.J, me të cilin dyshohet se e mitura kishte qenë në lidhje dashurie.

Një sinjalizues i afërt me familjen e viktimës, në kushte anonimiteti e ka rrëfyer ngjarjen për Gazetën Sinjali.

Sipas tij, e mitura u keqpërdor seksualisht nga 21-vjeçari në një ditë dimri mes muajit janar dhe shkurt në motelin “Casablanka” që ndodhet në fshatin Livoq i Poshtëm në komunën e Gjilanit.

Për shkak të këtij akti, sipas sinjalizuesit të Gazetës Sinjali, e mitura, asokohet 13-vjeç, kishte ngelur shtatzënë dhe i dyshuari në muajin mars, kur ajo ishte në javën e tretë e disa ditë të shtatzënisë, e kishte detyruar që të abortojë.

Sinjalizimi i Gazetës Sinjali u konfirmua sot nga Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh.

Në raportin e policisë thuhet se mitura ka raportuar në polici nën shoqërimin e nënës së saj dhe se i dyshuari për këtë rast është arrestuar dhe dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Gjilan Janar-Shkurt 2020. Viktima femër e mitur në shoqërim me nënën e saj femër kosovare kanë raportuar se në muajt e cekur të këtij viti është dhunuar nga i dyshuari mashkull madhor kosovar. Lidhur me rastin është arrestuar i dyshuari i lartcekur dhe pas intervistimit, me vendim të prokurorit kujdestar të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, thuhet në raportin e policisë.

Gazeta Sinjali mbrëmë raportoi se Prokuroria Themelore në Gjilan ka nisur hetimet lidhur me këtë rast edhe ndaj mjekëve të një klinike private në Prishtinë, ku dyshohet se në muajin mars është kryer aborti.

Rastin për Gazetën Sinjali e konfirmoi shkurt kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Jetish Maloku.

“Unë vetëm mund të konfirmoj se një person i dyshuar është ndaluar për këtë rast dhe se kemi bërë kërkesë që këto dy, tre ditë të kryhen ekzaminimet mjeko-ligjore”, tha ai.

Gazeta Sinjali do të ju mbajë të informuar lidhur me detaje të reja të ngjarjes./Gazeta Sinjali/