Policia e Kosovës ka gjobitur shoferën e veturës i cili hyri në kahjen e kundër të autostradës Prishtinë Prizren, këtë të hënë, shkruan Gazeta Sinjali.
Identifikimi i tij u bë përmes videos e cila u publikua nga mediat atë ditë.
“Me datë 22.06.2020 në media është shfaqur një video-incizim në të cilin shihej teksa një automjet ishte duke qarkulluar në kahjen e kundërt të drejtimit të lëvizjes në autostradën “Dr. Ibrahim Rugova”. Pas publikimit të këtij informacioni, Policia e Kosovës ka marrë menjëherë veprimet e nevojshme për identifikimin e veturës si dhe të kundërvajtësit lidhur me rastin”, thuhet në komunikatën e policisë.
Policia ka arritur të identifikojë kohën e lëvizjes së veturës, si dhe përmes targave të saj edhe pronarin e veturës i cili, bëhet e ditur se sot është paraqitur në Njësinë për Kontrollimin e Autostradave në kuadër të Policisë së Kosovës.
Pas intervistimi, policia ndaj tij ka shqiptuar gjobë për kundërvajtje.
Me këtë rast, Policia e Kosovës ka apeluar te të gjithë qytetarët që në çdo rast të shkeljes së rregullave të komunikacionit rrugor, dhe jo vetëm, të njoftojnë Policinë e Kosovës, në mënyrë që të mirren masat adekuate për parandalimin e rasteve të tilla, me qëllim të ofrimit të sigurisë në një nivel sa më të lartë në komunikacion dhe jo vetëm./Gazeta Sinjali/