Në Serbi ka filluar mbajtja e zgjedhjeve presidenciale, të cilat Qeveria e Kosovës nuk e lejoi të mbahen në territorin e Kosovës. Por ky vendim i kryeministrit Kurti nuk e ka zbehur interesimin e qytetarëve serbë për të votuar, shkruan Gazeta Sinjali.
Lidhur me udhëtimin e serbëve të Kosovës në Serbi, Policia e Kosovës ka dalë me një njoftim duke thënë se situata është e qetë dhe stabile.
Numri i madh i personave që ia kanë mësyrë Serbisë ka shkaktuar edhe pritje në disa pika kufitare që e lidhin Serbinë e Kosovën.
Pritjet janë krijuar në Bërnjak dhe Jarinje për shkak të qarkullimit të shtuar të automjeteve, punës së ngadalësuar nga autoritetet serbe duke aplikuar hyrjen vetëm në një korsi dhe aplikimit të stikersave.
“Policia e Kosovës në këtë fushëveprim ka paraparë masat dhe veprimet e Policisë së Kosovës në funksion të ruajtjes së rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, garantimit të sigurisë së përgjithshme, si dhe shtimit të kapaciteteve të personelit policorë në pikat kufitare me qëllim të mundësimit të lëvizjes së lirë dhe qarkullimit kufitar”, thuhet në njoftim.