Falsifkimi i parave në vendin tonë nuk ka të ndalur. Policia ka zbuluar një rast ku dy të dyshuar njëri nga Kosova e tjetri nga Maqedonia e Veriut, po tentonin të lëshonin në qarkullim 53 100 euro dhe 10 000 dollarë amerikan fals, raporton Gazeta Sinjali.
Policia njofton se ka arrestuar dy të dyshuarit për përfshirje në veprën penale falsifikim i parasë.
Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit të mbështetur edhe nga institucionet e tjera të zbatimit të ligjit dhe në koordinim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj, ka zhvilluar operacionin policor me qëllim të arrestimit të dy personave të dyshuar, njofton Policia.
Më tej në njoftimin e Policisë thuhet se arrestimi ka ardhur pas një pune operative dhe hetimore, pasi policia kishte rënë në gjurmë të të dyshuarve dhe më pas dje ka rezultuar me arrestimin në flagrancë të dy të dyshuarve: B.S, (viti i lindjes 1986, mashkull kosovar) dhe M.I, (viti i lindjes 1986, mashkull Shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut).
Sipas njoftimit të dyshuarit ishin duke tentuar t’i vejnë në qarkullim një shumë të parave të falsifikuara me vlerë të përgjithshme prej 53 100 euro si dhe 10 000 dollarë amerikan.
Policia njofton se gjatë këtij operacioni është kryer edhe kontrollimi i shtëpisë së dyshuarit shtetas kosovar.
Gjatë operacionit policor, si prova materiale që do të përdoren në procedurë të mëtejme, janë sekuestruar: 700×50 € = 35000 €, 181×100 € =18100 €, 100×100 $ dollarë amerikan, 2 vetura dhe 3 telefona.
“Të gjitha veprimet janë kryer me autorizimin e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Ferizaj me vendimin e të cilit të dyshuarve u është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orëve”, thuhet në njoftimin e Policisë.