Policia e Kosovës ka arrestuar 21 persona në fshatin Gexhë të Rahovecit, pasi të njëjtit kishin dalë të luanin futboll pas orës 17:00, shkruan Gazeta Sinjali.
Këtë e konfirmoi për Gazetën Sinjali, Nusret Gjurkaj, zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës.
Gjurkaj tha se arrestimi i tyre u bë për shkak se ata nuk e kanë respektuar masën e kufizimit të lëvizjes pas orës 17:00.
“Janë arrestuar 21 persona, rreth orës 18:00 në fshatin Gexhë të Rahovecit. Kanë dalë të luajnë futboll, duke shkelur dispozitat shëndetësore gjatë epidemisë”, tha Gjurkaj.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës tha se tre nga 21 të arrestuarit kanë qenë nën moshën 18 vjeçare, andaj janë liruar në procedurë të rregullt. Kurse, 18 të arrestuarit e tjerë, me urdhër të prokurorit, janë dërguar në mbajtje për 48 orë./Gazeta Sinjali/