Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka nisur një Urdhër Operativ “Siguria në shkolla & Stop drogave në shkolla”, në të cilin parashihen detyra e aktivitete konkrete për zyrtarët policorë të përfshirë në zbatim të këtij urdhri.
Sipas policisë, brenda një muaji, nga data 7 mars e deri më 3 prill të këtij viti në zbatim të urdhrit janë evidentuar 53 incidente në hapësirat e shkollave dhe afër tyre, 79 intervenime policore, 20 persona të lënduar, 69 të dyshuar të arrestuar, 32 armë (armë të ftohta dhe mjete tjerë të ndaluara) të konfiskuara dhe 1860 takime të realizuara me përfaqësues të shkollave.
Policia bëri të ditur se do të vazhdojë aktivitetet në zbatim të këtij urdhri, me këtë rast edhe kanë kërkuar bashkëpunim me të gjithë në parandalimin dhe arrestimin e të gjitha atyre që përfshihen në veprimtari penale dhe në incidente tjera.
“Qëllimet kryesore që policia synon t’i arrijë me hartimin dhe zbatimin e këtij urdhri, ndër të tjera janë edhe: krijimi i një klime më të sigurt për nxënësit, personelin arsimor në të gjitha nivelet arsimore, bashkërendimi i aktiviteteve ndër-institucionale, parandalimi dhe zvogëlimi i incidenteve në shkolla dhe objekte e rrethinë afër shkollave, parandalimi, identifikimi, arrestimi i shpërndarësve të narkotikëve, identifikimi dhe marrja e masave ndaj personave që nuk janë nxënës, e që sillen afër shkollave dhe në hapësira të shkollave, hetimi dhe zbulimi i veprave penale që kryhen në këto hapësira, siguria në trafik afër shkollave etj”, thuhet në njoftimin e tyre.