Si shkak i bllokimit të rrugëve në veri të Kosovës, ku serbët kanë vendosur barrikada, policët, doganierët e stafi administrativ kanë mbetur në pikat kufitare Jarinje e Bërnjak që nga 10 dhjetori, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali nga pikë kalimet kufitare Jarinje e Bërnjak, tregojnë se ka mbi 75 orë që policët e doganierët kanë mbetur aty si shkak i mbylljes së rrugëve drejt Mitrovicës e anasjelltas.
Policia, doganierët e stafi mbështetës ka katër ditë që kanë mbetur në pikat kufitare Kosovë-Serbi, tregojnë se kanë ushqime, pije e gjësende të mjaftueshme.
Nga Policia e Kosovës nuk janë deklaruar për Sinjalin lidhur me policët të cilët kanë mbetur tash 4 ditë në pikat kufitare në veri të Kosovës.
Derisa drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës Agron Llugaliu, tha për Gazetën Sinjali, pas mbylljes së rrugëve në veri të Kosovës, doganierët po punojnë me orare të zgjatura.
Ai tregoi se doganierët të cilët janë në Pikat e Kalimit Kufitar Jarinje e Bërnjak janë të furnizuar me ushqime, pije e gjësende tjera adekuate për një kohë të gjatë.
Nga Zyra për Media e EULEX, thonë për Gazetën Sinjali, se situata e sigurisë në Kosovë është shumë shqetësuese dhe e tensionuar.
“Gjatë fundjavës, kemi parë një përshkallëzim me një sërë sulmesh, duke përfshirë kundër Policisë së Kosovës, një patrulle vëzhguese të EULEX-it dhe gazetarëve. Në ditët e kaluara, gjithashtu kemi qenë dëshmitarë të një pranie shqetësuese të armatosur në pjesën veriore të Kosovës, shpesh nga individë dhe grupe të maskuara. Kjo është e papranueshme. Prishja e rendit publik dhe dhuna duhet të ndalen tani. Personat që janë përgjegjës për këto sulme duhet të japin llogari”, thonë për Gazetën Sinjali nga EULEX.
Derisa as nga KFOR-i nuk janë deklaruar për Sinjalin lidhur me heqjen e barrikadave dhe krijimin e lirisë së lëvizjes.
Derisa edhe nga faqen e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Qendra Kombëtare e Menaxhimit Kufitar thuhet se pikat e kalimit kufitar Jarinje e Bërnjak janë të mbyllura.
Rrugët në veri të Kosovës vazhdojnë të mbeten të bllokuara nga grupet serbe të cilat kanë vendosur barrikada nga 10 dhjetori në shenjë rezistence ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovës për targat ilegale dhe mos formimin e Asociacionit.