image Plas sherri në Spitalin e Pejës: Sulmohet dhe kërcënohet një person, arrestohet i dyshuari - Sinjali sjellë detajet

Siguri

Plas sherri në Spitalin e Pejës: Sulmohet dhe kërcënohet një person, arrestohet i dyshuari – Sinjali sjellë detajet

news image

Mëngjesi i sotëm nisi me një incident që pasoi me kanosje serioze në Spitalin Rajonal të Pejës. Një ngatërresë mes dy personave eskaloi në kërcënime me vrasje dhe sulm, për çka ndërhyu Policia rreth orës 09:00. Një person u arrestua, ndërkaq një tjetër mori trajtim mjekësor si pasojë e përleshjes, mëson Gazeta Sinjali.

Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se sipas informacioneve të para një person me inicialet Sh.M., po dyshohet se ka goditur me shufër druri një person tjetër, te Ambulanca Specialistike, për shkak të një mosmarrëveshje të mëhershme, duke i shkaktuar kështu lëndime trupore.

Sherri që plasi aktivizoi Policinë, me ç’rast disa njësi policore intervenuan, ku morën një deklaratë nga viktima e rastit (emër i njohur për redaksinë), i cili ka rrëfyer se i dyshuari e ka kërcënuar seriozisht duke i thënë “S’e lo pa t’vra, nuk i thom vetit njeri nëse nuk të vraj”.

Sinjali merr vesh se pas marrjes së informacioneve të para, Policia është vënë në ndjekje të personit të dyshuar i cili fillimisht ka ikur, por nuk e shijoi lirinë gjatë pasi u arrestua pas një periudhe të shkurtër, me ç’rast gjatë kontrollit policor është sekuestruar edhe shufra e drurit.

I njëjti është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratë për veprën me të cilën ngarkohet dhe pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh.

/GazetaSinjali/