image Përfundon aksioni ‘Brezovica’, arrestohet një doganier dhe kryetari i bordit ‘Ski Center Brezovica’

Siguri

Përfundon aksioni ‘Brezovica’, arrestohet një doganier dhe kryetari i bordit ‘Ski Center Brezovica’

news image

Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka bërë të ditur se në kuadër të aksionit ‘Brezovica’ ka kontrolluar dhe bastisur shtatë lokacione të ndryshme në Shtërpcë, në mesin e tyre edhe objekti i Komunës së strukturave paralele në Shtërpcë dhe janë arrestuar dy persona të dyshuar.

Siç njofton Prokuroria, me vendim të Prokurorit të Shtetit, personat e arrestuar, N.G.,- doganier dhe S.I., – kryetar i bordit të “Ski Center Brezovica”, janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 421 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)-së.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, ndaj të njëjtve, brenda afatit ligjor, do të paraqesë edhe kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Ferizaj”, përfundon njoftimi i tyre.

Ndryshe, më 3 mars, janë prangosur shtatë persona të dyshuar për këtë rast, tre ish- zyrtarë të Ministrisë se Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe katër persona, pronarë të kompanive private.

Policia e Kosovës edhe në muajin dhjetor të vitit 2021 dhe në muajin janar të këtij viti ka arrestuar persona të përfshirë në rastin e quajtur “Brezovica”

Në fund të dhjetorit, janë arrestuar dhjetë persona, përfshirë ish-kryetarin e Komunës së Shtërpcës, njëherësh zyrtarin e Listës Serbe, Bratisllav Nikolliq, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

/GazetaSinjali/