image Për tri vjet rreth 4 mijë e 500 raste të dhunës në familje, prin Prishtina

Kosovë

Policia/ Për tri vjet rreth 4 mijë e 500 raste të dhunës në familje, prin Prishtina

news image

Dhuna në familje po shënon rritje në Kosovë nga viti në vit. Kjo dukuri po i prek të gjitha grupmoshat pa dallim. Sipas statistikave zyrtare numri i rasteve të dhunës në familje gjatë viteve 2017- 2019 ka arritur në afro 4 mijë e 300 ndërsa janë arrestuar 1,500 persona.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur për Gazetën Sinjali se në vitin 2017 janë raportuar 1 mijë e 269 raste të dhunës në familje, në vitin 2018 janë 1 mijë e 534 raste të dhunës në familje, kurse në periudhën janar-shtator të këtij viti janë raportuar 1 mijë e 444 raste të dhunës në familje.

Pothuajse në çdo raport 24-orësh të Policisë së Kosovës evidentohen raste të dhunës në familje.

Rajoni me më së shumti raste të dhunës në familje është Prishtina, ku vetëm gjatë tri viteve të fundit janë raportuar mbi 1 mijë raste.

Bazuar në të dhënat e raportuar të rasteve të dhunës në familje sipas regjioneve: Gjatë vitit 2017, 2018 dhe 2019 rastet e raportuara me numër më të madh është regjioni i Prishtinës ku në vitin 2017 janë 400 raste, në vitin 2018 janë 499 raste”, kanë thënë nga Policia e Kosovës për Gazetën Sinjali.

Përdoruesit më të mëdhenj të dhunës në familje janë meshkujt. Sipas policisë, gjatë tri viteve të fundit, afro 3 mijë e 400 meshkuj kanë ushtruar dhunë, kurse 900 femra kanë ushtruar dhunë ndaj meshkujve.

Në vitin 2017, dhunë në familje kanë ushtruar 958 meshkuj, në vitin 2018 janë evidentuar 1,228 meshkuj dhe gjatë periudhës nëntë mujore të këtij viti 1,156 meshkuj.

Ndërsa, gjatë vitit 2017 janë 261 femra që kanë ushtruar dhunë në familje, në vitin 2018 janë 334 femra dhe gjatë periudhës janar-shtator 2019 janë raportuar 288.

Numri i personave të arrestuar gjatë tri viteve të fundit si të dyshuar për ushtrim të dhunës në familje është afro 1 mijë e 500.

Sipas policisë, në vitin 2017 për rastet e dhunës në familje janë arrestuar 400 persona, kurse në vitin 2018 janë arrestuar 99 persona më shumë për rastet e dhunës në familje, gjithsej 499 persona, kurse viti me më së shumti persona të arrestuar si të dyshuar për dhunë në familje është 2019-ta, ku vetëm gjatë periudhës janar-shtator janë arrestuar 580 persona.

Bazuar në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, një në tri femra ose 35 përqind në mbarë botën kanë përjetuar lloj të dhunës, diskriminimit dhe dhunës seksuale pavarësisht ku jetojnë, në vende me nivel të lartë të zhvillimit ose të pazhvilluara. / Gazeta Sinjali/