Nga muaji janar deri në fund të muajit korrik të këtij viti, 18 persona janë vetëvrarë, ndërsa 53 të tjerë tentuan ta bëjnë të njëjtën gjë. Krahasuar me shifrat e vitit të kaluar, gjatë të cilës u vetëvranë 21 persona, numri i vetëvrasjeve shënoi rënie.
Rënie, bazuar në të dhënat e Policisë së Kosovës të siguruara nga Gazetën Sinjali, pati edhe sa u përket tentim-vrasjeve. Derisa në vitin e kaluar ishin 82 persona që tentuan të vetëvriten, këtë vit tentim për t’i dhënë fund jetës së tyre bënë 53 qytetarë.
Sipas sociologut Ferdi Kamberi, rastet e vetëvrasjes kanë shënuar rritje në Kosovë, pas vitit 1999, si rezultat i periudhës së tranzicionit, gjendjes anomike (shkëputja e normave shoqërore, kriza e vlerave), mungesës së qendrave të trajtimit mendor, si dhe stresit post-traumatik që shfaqet në vendet të cilat kanë pasur periudhë konflikti, 10 deri në 15 vjet pas përfundimit të tij.
“Faktorë tjerë janë faktorët socio–ekonomikë (papunësia e cila ka prodhuar varfëri të lartë), pastaj depresioni, ankthi, pasiguria sociale, sidomos faktorë këto të cilat janë rritur dukshëm gjatë periudhës së COVID-19″, thotë Kamberi për Gazetën Sinjali.
Sipas tij, vetëvrasjet janë raste shumë të shpeshta në Kosovë, pavarësisht se ato nga muaji në muaj mund të duken se po bien.
Ndërkaq, psikologu klinik, Imri Zabeli, thotë se mendimet për të kryer një akt të tillë kryesisht hasen te personat të cilët vuajnë nga depresioni, abuzimi me substanca narkotike, konfliktet e ndryshime në familje dhe sëmundjet e ndryshme.
“Në shumicën e rasteve klientët kërkojnë ndihmë te ne, pasi konsiderojnë që kanë nevojë të dalin nga kjo gjendje, që është një tregues se klientët kanë filluar të mendojnë se ekzistojnë zgjidhje jashtë mendimeve apo sjelljeve vetëvrasëse”, thotë Zabeli.
Psikologu klinik thotë se është shqetësuese mungesa e një sistemi të integruar shëndetësor për identifikimin efikas, të hershëm të mendimeve apo sjelljeve vetëvrasëse te klientët, ngase, sipas tij, shumë nga personat që kryejnë vetëvrasje rezultojnë të mos kenë marrë asnjëherë trajtime të shëndetit mendor.
“Sistem të integruar e konsideroj një rritje të vigjilencës në shërbimet shëndetësore edhe ato edukativo-arsimore, si dhe institucioneve për identifikimin e hershëm të sinjaleve të vetëvrasjes”, tha ai.
Sa i përket parandalimit dhe masave preventive, sociologu Kamberi rekomandon që institucionet e nivelit qendror, së bashku me ato lokale, të krijojnë politika për parandalimin e vetëlëndimit, në mënyrë që personat e tillë të integrohen në shoqëri.
“Mediat, duhet bërë përpjekje që të krijojnë programe të ndryshme me ekspertë për këtë fenomen, në mënyrë që të kemi një vetëdijesim gjithë shoqëror dhe jo që përmes titujve ‘bombastik’ të paraqesin këtë fenomen, sepse kjo mund të shkaktojë probleme të konsiderueshme”, rekomandon sociologu.
Megjithatë, elementi më i rëndësishëm është familja e cila, sipas tij, duhet të lehtësojë komunikimin me personat të cilat kanë probleme, qoftë të shëndetit mendor ose probleme të tjera, në mënyrë që me kohë të merren masa preventive, “sepse familja është agjens i parë i socializmit dhe ka ndikim tek anëtarët e tjerë të familjes”.
Një rol me rëndësi në këtë segment, Kamberi thotë se e kanë edhe institucionet fetare të cilat duhet t’i trajtojnë problemet e tilla edhe në kuadër të leksioneve ose ligjëratave fetare në faltore, në mënyrë që të gjithë ata/ato të cilët i vizitojnë faltoret t’i kenë informatat e tilla edhe në aspektin e trajtimit të religjionit, çka do të ishte e dobishme për ta. /Gazeta Sinjali/