image Pejë/ Tre policë dyshohen se monitorojnë kundërligjshëm kamerat e sigurisë, përmes telefonave privatë

Siguri

Pejë/ Tre policë dyshohen se monitorojnë kundërligjshëm kamerat e sigurisë, përmes telefonave privatë

news image

Në dalje të qytetit të Pejës, rrugës për në Grykën e Rugovës, janë të vendosura disa kamera të sigurisë, të cilat kanë për qëllim parandalimin e ndërtimeve pa leje dhe kontrabandës, shkruan Gazeta Sinjali.

Institucioni i vetëm që ka autorizim për qasje në pamjet që incizohen nga këto kamera është Policia e Kosovës.

Mirëpo, burime të Gazetës Sinjali brenda policisë së këtij rajoni kanë bërë të ditur se tre zyrtarë policorë (emra të njohur për redaksinë) janë më të privilegjuar se të tjerët, sa i përket qasjes në pamjet që filmohen nga këto kamera.

Sinjali merr vesh se këta zyrtarë policorë dyshohet se kanë qasje në këto incizime 24 orë në ditë, përmes telefonave të tyre privatë, me apo pa arsye, pa ndonjë autorizim apo urdhër të prokurorit, duke krijuar kështu mundësi për keqpërdorimin e tyre.

Për shkak se këto filmime përbëjnë informacione të mbrojtura me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, si e tillë qasja e tyre në këto pamje, në këtë formë, bie në kundërshtim me këtë ligj.

Për këtë rast Gazeta Sinjali ka dërguar pyetje në adresë të Prokurorisë Themelore në Pejë, por nga kjo prokurori kanë kërkuar që rreth çështjes në fjalë të pyetet policia.

Në një përgjigje për Gazetën Sinjali, drejtoria e policisë për rajonin e Pejës e ka konfirmuar që janë institucioni i vetëm i autorizuar për monitorimin e këtyre incizimeve, me qëllim të “të përmirësimit të sigurisë publike”.

“Në pajtim me nenin 25, paragrafi 1, të Ligjit Nr. 04/ L-075 për Policinë, vetëm policia është e autorizuar të bëjë vëzhgim parandalues të vendit publik, duke përdorë pajisje për incizime video-akustike dhe pajisje fotografike për t’i vëzhguar vendet publike ku në të kaluarën shpesh janë kryer vepra penale, apo ku ka arsye të bazuar të besohet se vëzhgimi publik do ta zvogëlonte rrezikun nga kryerja e veprave penale dhe do ta përmirësonte sigurinë publike në të ardhmen, në pajtim me Kodin e Procedurës Penale, andaj policisë i takon monitorimi i sistemit të vëzhgimit me kamerë”, thuhet në përgjigjen e policisë për Sinjalin.

Mirëpo, nga kjo drejtori thonë se momentalisht janë në fazën testuese, duke mos pasur kështu qasje të tërësishme.

“Sidoqoftë duke e ditë situatën në të cilën gjendet qyteti i Pejës, sa i përket mbulimit të qytetit me kamera ku ne ende nuk e kemi marrë qasjen komplet në to, konfirmojmë se si Polici jemi në fazën e testimit të këtyre kamerave (në koordinim me zyrtarin e IT-se së Komunës se Pejës) derisa t’i marrim qasjet në të gjitha kamerat e qytetit.”

Ndonëse, pyetja e Sinjalit ishte nëse disa zyrtarë policorë kanë qasje të pakufizuar prej 24 orësh në filmimet e këtyre kamerave, policia ka kthyer përgjigje të përgjithshme duke mohuar se ky institucion ka qasje 24/7 në telefonat privatë.

“Policia e Kosovës nuk ka qasje 24/7 në këto kamera nga telefonat e tyre celularë”, thuhet shkurt në përgjigjen e tyre.

Për këtë rast, Gazeta Sinjali ka disa ditë që ka dërguar pyetje edhe në adresë të Komunës së Pejës, mirëpo, deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk ka pranuar përgjigje./Gazeta Sinjali/