image Pas raportimit të Sinjalit, Policia nis hetimet ndaj hetuesit policor që i quajti argatë të Serbisë dëshmitarët e Speciales

Siguri

Pas raportimit të Sinjalit, Policia nis hetimet ndaj hetuesit policor që i quajti argatë të Serbisë dëshmitarët e Speciales

news image

Pas publikimit të artikullit të Gazetës Sinjali, se hetuesi policor i Policisë Rajonale të Gjakovës, Musa Gashi, përmes një postimi në Facebook, i ka quajtur argatë të Serbisë personat që dëshmojnë në Gjykatën Speciale, Policia e Kosovës ka filluar hetimet e brendshme disiplinore ndaj këtij zyrtari policor.

Kështu ka bërë të ditur Policia e Kosovës në një përgjigje për Gazetën Sinjali.

“Lidhur me rastin në fjalë, Policia e Kosovës ka iniciuar procedurën për hetime të brendshme disiplinore”, thuhet në përgjigje.

Pak minuta pas publikimit të artikullit në Gazetën Sinjali, hetuesi policor e largoi postimin e tij nga rrjeti social Facebook, ndërsa filluan mesazhet këcënuese dhe fyese në adresë të redaksisë, për të cilat gazeta e njoftoi edhe Policinë e Kosovës.

Kërcënimet erdhën fillimisht nga djali i zyrtarit policor, me emrin Korab M Gashi në Facebook dhe më pas nga nipi i hetuesit, Samir Goqi, i cili sipas sinjalizuesve të Gazetës Sinjali ka të kaluar kriminale.

Gazeta Sinjali raportoi se Musa Gashi ka deklaruar se personat që dëshmojnë në Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, duke qenë zyrtar policor dhe duke mos u përmbajtur nga deklarimet kundër institucioneve të drejtësisë, ka rënë ndesh me urdhëresën e Drejtorit të Policisë së Kosovës, që deklarata të tilla mos të lëshohen.

Gashi, këtij postimi në Facebook ia kishte bashkëngjitur një video-link, ku ish-gjenerali shqiptar i Divizionit të Kukësit, Kudusi Lame, ka deklaruar në një televizion se Specialja është “gjykatë mafioze”, ndërkaq ka shtuar se me dëshmitarët që fshehen nuk mund të ketë drejtësi.

/GazetaSinjali/