Në vazhdën e aktiviteteve të shtuara për luftimin e kriminalitetit, me theks të veçantë kontrabandës në pjesën veriore të vendit, janë shtuar aktivitetet policore dhe institucioneve tjera përgjegjëse, njofton Policia e Kosovës.
“Sot, rreth orës 13:30, gjatë patrullimit dhe vëzhgimit të terrenit në Mitrovicë, është pikasur një automjet transportues (furgon) me targa vendore me të cilin dyshohej se po kryhej kontrabandë me mallra”, thonë Policia.
Forcat e rendit tregojnë se kanë arritur ta ndalojnë automjetin të cilin e drejtonte një mashkull kosovar dhe gjatë kontrollit, të ngarkuar në automjet janë gjetur 1040 pako me gjëra ushqimore në vlerë rreth 14.000 euro.
“Malli dyshohet që është i kontrabanduar, andaj rasti është adresuar te Dogana e Kosovës që të trajtohet më tej”, njoftojnë forcat e rendit.
Policia e Kosovës njofton se në bashkëpunim me Doganën e Kosovës do të vazhdojnë aktivitetet e përbashkëta me qëllim të parandalimit të krimit dhe kontrabandës së mallrave.