image Pal Lekaj intervistohet nga Policia e Kosovës pas denoncimit nga PDK-ja

Kosovë

Ekskluzive/ Pal Lekaj intervistohet nga Policia e Kosovës pas denoncimit nga PDK-ja

news image

Pal Lekaj, ministri në detyrë i Infrastrukturës, është intervistuar gjatë ditës së sotme nga Policia e Kosovës pasi është denoncuar nga PDK-ja lidhur me rrethrotullimin në Komoran.

Burime të Gazetës Sinjali brenda Policisë së Kosovës kanë konfirmuar se pas denoncimit nga PDK-ja, gjatë ditës së sotme është intervistuar Lekaj rreth orës 17:00. Ministri në detyrë është marrë në pyetje në cilësinë e të dyshuarit për veprime të kundërligjshme, raporton Gazeta Sinjali.

Gazeta Sinjali ka provuar të kontaktojë me ministrin Lekaj për këtë çështje, por fillimisht në telefonin e tij është lajmëruar një person tjetër me arsyetimin se ministri është në mbledhje, e më pas Lekaj nuk e ka hapur më telefonin.

Në anën tjetër Policia e Kosovës nuk ka arritur të konfirmojë intervistimin e Lekajt, ndërsa ndaj tij është hapur rasti për vandalizëm.

I kontaktuar nga Gazeta Sinjali, zyrtari për informim në Policinë e Kosovës, Bajram Krasniqi, ka thënë se deri më tani nuk mund ta konfirmoj intervistimin e Lekajt.

“Më 2 shtator në ora 13:35 një person ka hequr një bulon të mbrojtësit të rrugës që ndante shiritat e rrugës në mes vete është njoftuar prokurori kompetent dhe me urdhër të tij është iniciuar rasti. Kjo është e tëra çfarë aktualisht mund të konfirmojë”, ka deklaruar Krasniqi.

Ministri Lekaj, është përfshirë në një përplasje me Komunën e Drenasit, pasi që kishte vendosur që udhëkryqi i Komoranit të zhbllokohet për qarkullim të lirë, me arsyetimin se është kërkesë e banorëve dhe bizneseve të vendit.

Komuna e Drenasit që udhëhiqet nga Ramiz Lladrovci, kishte akuzuar Lekajn se kishte vepruar për përfitime politike dhe se paraqet rrezik për komunikacionin.

Komuna në një njoftimin e tyre kishte thënë së inspektorët komunal janë kërcënuar më inicim të ‘kallëzim penal’ nga ana e ministrit në detyrë.

“Për këtë çështje, duke marrë parasysh shqetësimin e qytetarëve tanë, Inspektorët Komunal me mirëkuptim kanë kërkuar të informohen nga Ministri në largim, Pal Lekaj, se a ka vendim të kësaj natyre. Mirëpo, të njëjtit nuk kanë hasur në bashkëpunim, dhe për më tepër ata kanë marrë kërcënime nga ana e Ministrit Lekaj, i cili iu është përgjigjur se mund të inicioj ‘Kallëzime Penale’ për inspektorët tanë”, thuhet në komunikatën e Komunës së Drenasit, të enjten.

Ministria e Infrastrukturës i ishte përgjigjur Komunës së Drenasit duke e akuzuar për shpifje. Ministria që udhëhiqet nga Lekaj ishte arsyetuar se ka planifikuar vendosjen e një rrethrrotullimi të përkohshëm

“Para vendosjes së atij të përhershmi, kompania projektuese e kontraktuar nga MIT, po planifikon vendosjen e një rrethrrotullimi të përkohshëm, përmes të cilit do të testohet ndikimi që do të ketë ky ndryshim në komunikacion”, thuhej në njoftim të MIT./Gazeta Sinjali/