Në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë këtë të shtunë qytetarët kanë pasur mundësinë që të vaksinohen kundër COVID-19.
Aty u vendos një ekip mobil nga QKMF-ja e Obiliqit e rekomanduar nga Ministria e Shëndetësisë, mirëpo interesimi i qytetarëve për vaksinim ishte i ulët.
Krahas qytetarëve që iu duket ide e mirë ka edhe të tjerë që po e vlerësojnë të paarsyeshme vendosjen e ekipeve mobile për të vaksinuar qytetarët edhe në aeroport.
Epidemiologia në QKMF në Obiliq, Rejhane Zhushi-Musliu, tha se interesimi për vaksinim është i ulët për arsye se tashmë shumë nga qytetarët veçse janë vaksinuar.
“Me rekomandimin e Ministrisë së Shëndetësisë, sot edhe nesër është ekipi mobil në Aeroportin e Prishtinës, do të thotë qytetarë të interesuar bashkatdhetarë që jetojnë jashtë vendit kanë mundësi të vaksinohen nëse deri tani nuk e kanë bërë një gjë të tillë“.
“Sa kam informacione deri më tani interesimi është i ulët, me thënë shumica vijnë të vaksinuar, por për momentin është i ulët. Ne jemi në kontakt me sekretarin e ministrisë, që me siguri kanë agjendat e veta, por i presim në çdo moment. Jo vetëm për dozë të parë sepse është sistemi i funksionalizuar dhe kartoni për dozë të parë”.
Qytetari, Arben Hyseni thotë se çdo mundësi për vaksinim do të krijonte lehtësira tek qytetarët që të jenë të vaksinuar kundër COVID-19.
“Po normal duhet të vaksinohen sepse unë jam i vaksinuar vetë i kam marrë dy vaksina. Po normal çdo mundësi është e mirë, pa marrë parasysh ku në aeroport apo në vend tjetër”.
Vaksinimi në këtë formë po i duket i paarsyeshëm Sadije Maliqit.
“Nëse nga jashtë vijnë brenda ma merr mendja është e drejtë, nëse nga brenda udhëtojnë jashtë nuk e shoh të arsyeshme. Nuk mund të them direkt se është mirë por ndoshta është edhe obligative, nëse është obligative duhet. Në vend atje ku jetojmë në Zvicër nuk ta imponon mirëpo rrethanat vijnë në atë lloj që ta bën të pamundshme që të dalësh pa u vaksinuar”, tha ajo për KP.
Vaksinimi në aeroport do të vazhdojë edhe nesër nga ora 08:00 deri në orën 16:00.
Ndërsa, në 24 orët e fundit sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës 2 mijë e 22 qytetarë janë vaksinuar kundër COVID-19./GazetaSinjali/