Prokuroria Themelore në Gjilan, Inspektorati Policor i Kosovës dhe Policia e Kosovës kanë dalë me një komunikatë të përbashkët për media lidhur me operacionin e madh, i cili po zhvillohet sonte në Karaçevë të Kamenicës, për të cilin Gazeta Sinjali ka raportuar ekskluzivisht.
Siç njofton kumtesa, operacioni ka filluar si rezultat i një hetimi gati njëvjeçar të udhëhequr nga Prokuroria Themelore në Gjilan, lidhur me pretendimet për veprimtari të paligjshme, përfshirë bixhozin e paligjshëm, trafikimin me njerëz, trafikimin me armë, trafikimin me narkotikë, kontrabandimin e mallrave dhe aktivitete tjera kriminale.
“Deri në lëshimin e kësaj komunikate, në lidhje me rastin janë arrestuar gjithsej 33 persona të dyshuar, në mesin e tyre 10 zyrtarë policorë, të cilët brenda afatit ligjor do të paraqiten para gjyqtarit të procedurës paraprake, janë sekuestruar aparate të lojërave të fatit, rreth 120 gjedhe, si dhe gjësende të ndryshme si prova materiale, që dyshohet të jenë përdorur në aktivitete kriminale”, thuhet në komunikatë.
Më tej, bëhet e ditur se ky operacion, i cili është operacioni më i madh i llojit të tij në Republikën e Kosovës, është një shembull i bashkëpunimit ndërmjet Prokurorisë, Policisë dhe Inspektoratit Policor. /Gazeta Sinjali/