image “O e lironi ose veprojmë si në 2004-ën”/ Policia hap rast ndaj të riut që kërcënoi Gjykatën Themelore në Prizren dhe Gazetën Sinjali

Siguri

“O e lironi ose veprojmë si në 2004-ën”/ Policia hap rast ndaj të riut që kërcënoi Gjykatën Themelore në Prizren dhe Gazetën Sinjali

news image

Policia e Kosovës ka hapur rast kundër të riut i cili dy ditë më parë kërcënoi Gjykatën Themelore në Prizren dhe Gazetën Sinjali.

Ai ka kërcënuar Gjykatën Themelore në Prizren se nëse Iran Badalli, i akuzuar për shpërthimin në Zhur, nuk lirohet në seancën e ardhshme gjyqësore, ai do të organizojë trazira të ngjashme me ato të marsit, në vitin 2004.*

Sipas tij, eksplozivi nuk është montuar nga Irani, por nga vetë zyrtarët policorë.

“O ta pshu**sha mantillin o avokati b**es. Nuk e ka montu Irani (i akuzuari Irani Badalli). E keni montu vetë. Kush ka qef m’i mytë fëmijët e vet, o r*pt juve. Në seancën tjetër, krejt Zhurin e ki përballë gjykatës. O e lironi ose veprojmë se në 2004. Krejt qytetin çka e ka kallë Zhuri i Madh. Respekt për bashkëvendësit e mi”, ka komentuar ai në lajmin për nisjen e shqyrtimit gjyqësor për këtë rast.

Pas raportimit të Sinjalit për këtë kërcënim, i riu ka kanosur edhe gazetarët e Gazetës Sinjali, duke u thënë se do “ju dalë shumë problem”.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaban Osmanollaj, tha për Sinjalin se prokurori ka urdhëruar që ndaj tij të iniciohet rasti “Kanosja”.

“Më datën 21.06.2021 rreth orës 09:00, Hetimet e Stacionit policor Prizren, kanë pranuar informacionin në lidhje me një kanosje që ishte raportuar në portalin ‘Sinjali’, ku një i dyshuar me datat 19.6.2021 – 20.6.2021, përmes komenteve që ka bërë në rrjetin social Facebook, në një artikull të portalit ‘Sinjali’, kanos institucionin e shtetit, konkretisht Gjykatën Themelore në Prizren, avokatët, si dhe portalin ‘Sinjalin’.”

Osmanollaj bëri të ditur se policia ka shkuar në shtëpinë e të dyshuarit në Zhur të Prizrenit, por nuk e ka gjetur aty.

Sipas familjarëve të tij, ai gjendet me punë të përkohshme në Slloveni.

“Në lidhje me këto informacione është konsultuar prokurori kujdestar, i cili udhëzon që të fillohen hetimet me lidhje me këtë rast. I dyshuar është kërkuar në shtëpinë e tij, në fshatin Zhur të Prizrenit, sipas familjarëve të tij, ai gjendet në shtetin slloven, me punë të përkohshme. Në konsultim me prokurorin kujdestar është iniciuar rast për veprën penale “Kanosja”, ndërsa i dyshuari është në kërkim policor”, tha ai.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

*Gjatë trazirave të 17 e 18 marsit 2004 u vranë 19 civilë, nga të cilët 11 shqiptarë dhe 8 serbë, u lënduan mbi 900 të tjerë dhe u shkatërruan objekte fetare e kulturore. Këto trazira shpërthyen dhe eskaluan në dhunë në gjithë Kosovën pas raportimeve se në lumin Ibër ishin mbytur dy fëmijë shqiptarë duke ikur nga disa serbë./Gazeta Sinjali/