Dje u ngrit debat lidhur me vendimin e Shkollës së Mesme Teknike “Nexhmedin Nixha” në Gjakovë për kodin e veshjes, sipas të cilit, në objektet e shkollës ndalohet bartja e shamisë. Përveç shamisë, në shkollë ndalohet grimi, veshjet ekstravagante dhe pirja e duhanit.
Gazeta Sinjali e ka siguruar emailin që drejtoresha, Florentina Gjergjaj ua ka dërguar kolektivit të shkollës, ku nuk përmendet fare bartja apo ndalimi i shamisë.
Në emailin që drejtoresha Gjergjaj ua ka dërguar mësimdhënësve thuhet se kujdestarët e kanë për detyrë që t’ua përcjellin nxënësve rregullin që të mos hyjnë në objektin e shkollës “me veshje ekstravagante dhe grim të tepruar”.
Madje në email, drejtoresha kërkon nga mësimdhënësit kujdestarë dhe roja i shkollës që mos t’i lejojnë të hyjnë brenda nxënësit që i thyejnë këto rregulla.
Gjergjaj ka kërkuar që ky vendim të hyjë nga data 29 mars (e martë) andaj ka sugjeruar që të lajmërohen nxënësit dhe prindërit.
Në lidhje me këtë vendim, ka reaguar edhe deputetja Duda Balje, e cila është kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione.
Balje e ka konsideruar skandaloze dhe ofenduese për qytetarët këtë moslejim.
“Me një pjesë të simboleve jam dhe unë dakord. Mirëpo, me simbolin e një vajze me shami, krahasimi i simboleve në këtë mënyrë është skandaloz dhe gjithashtu ofendim për secilin qytetar dhe Republikën tonë, pa përjashtuar edhe besimet fetare. Unë nuk mund të jem indiferente dhe gjithashtu kërkoj një sqarim edhe nga Kryetari i Komunës së Gjakovës, z. A. Gjini”, kishte shkruar Balje.
Këtë deklaratë të Baljes, drejtoresha Gjergjaj e ka marrë si kërcënim, andaj, siç mëson Sinjali, Gjergjaj e ka denoncuar në Polici deputeten Balje dhe disa persona tjerë.