image Drejtoresha e shkollës në Gjakovë i reagon Baljes: Nxitët kërcënime ndaj meje, do t’u drejtohem autoriteteve

Arsim

Drejtoresha e shkollës në Gjakovë i reagon Baljes: Nxitët kërcënime ndaj meje, do t’u drejtohem autoriteteve

news image

Drejtoresha e Shkollës së Mesme Teknike “Nexhmedin Nixha” në Gjakovë, Florentina Gjergjaj, i ka reaguar deputetes Duda Balje, e cila mbrëmë bëri një postim pas simbolit që ndalon vendosjen e shamisë në këtë shkollë.

Gjergjaj ka thënë se vetëm po e respekton Udhëzimin Administrativ të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

“Ju mbase si pushtetare e konsideroni veten mbi ligjin, por unë si drejtoreshë e shkollës nuk ia jap asnjëherë këtë të drejtë vetes sime. Krejt çka angazhohem gjatë punës sime, krahas ngritjes së nivelit të arsimimit në Shkollën “Nexhmedin Nixha”, është edhe respektimi i ligjeve dhe udhëzimeve administrative në fuqi. Dhe asnjë fushatë e ulet, manipuluese me dashakeqësi dhe përçarëse si kjo e juaja ndaj meje nuk do të mund të ndikojë që unë t’i shkeli ligjet dhe udhëzimet administrative gjatë kryerjes së detyrës sime”, ka shkruar Gjergjaj.

Ajo ka thënë se do t’i drejtohet edhe autoriteteve të sigurisë për, siç ka thënë, fushatën e kërcënimeve që Balje ka nxitur ndaj saj.

“Sidoqoftë, për fushatën e kërcënimeve që ju nxitet sonte ndaj meje, natyrisht se nesër do t’i drejtohem autoriteteve të sigurisë. Pasi unë besoj fuqishëm në lirinë, demokracinë dhe sigurinë Kushtetuese që ma ofron vendi dhe shoqëria ime – Kosova – për t’i përmbushur të gjitha detyrimet e mija ligjore, si qytetare dhe zyrtare publike e këtij vendi. Pa marrë parasysh, se në disa raste përballemi edhe me individ të ndryshëm që me metoda primitive, “autoritare”, e nxitëse të dhunës provojnë të na detyrojnë që t’i shkelim ligjet dhe udhëzimet administrative në fuqi në Republikën e Kosovës”, ka shkruar tutje ajo.

/GazetaSinjali/