image Debati për shaminë - Drejtoresha e shkollës në Gjakovë denoncon Duda Baljen në Polici

Siguri

Debati për shaminë – Drejtoresha e shkollës në Gjakovë denoncon Duda Baljen në Polici

news image

Florentina Gjergjaj, drejtoresha e shkollës së mesme teknike në Gjakovë, “Nexhmedin Nixha” i ka raportuar në Polici disa raste të kërcënimeve që ka marrë pas ndalimit të hyrjes me shami në këtë shkollë. Në mesin e personave që Gjergjaj i ka denoncuar në Polici është edhe deputetja Duda Balje, mëson Gazeta Sinjali.

Nga Policia rajonale e Gjakovës e kanë konfirmuar se Gjergjaj i ka raportuar në Polici disa raste të kanosjes, duke mos dhënë shumë detaje, sepse, siç thonë janë në fazën fillestare në hetimeve.

Ndryshe, reagimet ndaj Florentina Gjergjajt erdhën pasi në hyrje shkollës që ajo udhëheqë, janë vendosur disa shenja për mjetet dhe simbolet të cilat nuk lejohen brenda hapësirave të shkollës. Ndër to është edhe ai i mbajtjes së shamisë.

Drejtoresha ka deklaruar se kërcënimet ndaj saj janë shtuar pas reagimit të deputetes së Kuvendit të Kosovës, Duda Balje, e cila është kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione.

Balje e ka konsideruar skandaloze dhe ofenduese për qytetarët këtë moslejim.

“Me një pjesë të simboleve jam dhe unë dakord. Mirëpo, me simbolin e një vajze me shami, krahasimi i simboleve në këtë mënyrë është skandaloz dhe gjithashtu ofendim për secilin qytetar dhe Republikën tonë, pa përjashtuar edhe besimet fetare. Unë nuk mund të jem indiferente dhe gjithashtu kërkoj një sqarim edhe nga Kryetari i Komunës së Gjakovës, z. A. Gjini”, kishte shkruar Balje.

/GazetaSinjali/