image Një milion kilogram farë gruri e dyshimtë ka hyrë ilegalisht në Kosovë, ka prejardhje nga Kroacia

Kosovë

Bujqësi/ Një milion kilogram farë gruri e dyshimtë ka hyrë ilegalisht në Kosovë, ka prejardhje nga Kroacia

news image

Sasi e konsiderueshme e farës së grurit që dyshohet të jetë afro 1 milion kilogram e që nuk është e lejuar të përdoret për mbjellje ka hyrë ilegalisht në Kosovë.

Drejtori i Institutit Bujqësor të Kosovës, Fehmi Geci ka deklaruar për Gazetën Sinjali se sasia e grurit të dyshimtë që ka hyrë ilegalisht në Kosovë është me prejardhje nga Kroacia. Ai ka theksuar se ky lloj i grurit nuk është e lejuar që të përdoret për mbjellje.

“Është një varietet “Mandica” që ka prejardhje nga Kroacia, që ka hyrë ilegalisht. Ajo nuk lejohet me u përdorë për mbjellje, nuk e dimë si ka hy në Kosovë. Gjatë hulumtimit dy vjeçar në nuk kemi pas argumente për me e kaluar në digë nacionale për tregtimin e kulturave dhe tani qysh u hi nuk e di”, ka thënë Geci për Gaztën Sinjali.

Geci ka treguar se lloji i njëjtë i farës së grurit është kontrolluar për cilësi me kërkesë të  inspektorit të Gjakovës.

“Prej inspektorit të Gjakovës i njëjti grurë që nuk lejohet me hi nga ka ardhur për kontroll të cilësisë në laborator”, ka thënë ai.

Ditë më parë në një përgjigje Policia e Kosovës për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar rastin, ndërsa ka theksuar se është duke e trajtuar këtë informacion.

“Policia e Kosovës ka pranuar informacion nga Instituti Bujqësor i Kosovës në lidhje me futjen e një sasie të farës së grurit në Kosovë. Konfirmojmë se ky informacion është duke u trajtuar nga Policia e Kosovës”, kanë thënë Policia e Kosovës në një përgjigje për Gazetën Sinjali.

Gazeta Sinjali ka mbi dy javë që ka pritur për një përgjigje nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë për këtë rast por deri më tani nuk janë përgjigjur.

Kosova gjatë këtij viti nuk ka pasur rendiment të lartë gruri dhe si pasoj duhet të importojë grurë nga jashtë./ Gazeta Sinjali/

.