image Një 83-vjeçar viktima e parë nga tërmeti që goditi Greqinë

Rajon

Një 83-vjeçar viktima e parë nga tërmeti që goditi Greqinë

news image

Është regjistruar viktima e parë nga tërmeti prej 6 ballësh shkalla Rihter që goditi Greqinë të mërkurën.

Bëhet fjalë për një 83-vjeçar, i cili gjatë lëkundjeve të fuqishme nuk mundi të dilte nga shtëpia.

Grupet e shpëtimit kanë mundur ta nxjerrin nga rrënojat 83-vjeçarin, i cili ka vdekur pas disa ditëve.

Ndërkohë, banorët e zonave të dëmtuara nga tërmeti kanë kaluar natën e katërt jashtë, të strehuar në tendat e ushtrisë.

Sipas matjeve të kryera nga grupet e specialistëve në shumë prej fshatrave të Thessalisë, 900 shtëpi, ose gatu dy në tre prej atyre që janë vizituar nga inxhinierët janë shpallur të pabanueshme.

Mbrëmjen e së shtunës, një lëkundje tjetër prej 4.2 ballësh shkalla Rihter është regjistruar 5 km në veriperëndim të Larisës, me thellësi 8 km.

Ndërkohë, sipas pamjeve dhe matjeve satelitore specialistët deklarojnë se nga tërmeti i fuqishëm që goditi Thessalinë para katër ditësh terreni është deformuar dhe në shumë vende ka pësuar rrëshqitje deri në 39 cm.

Gjithashtu banorët e zonës Zarkos dëshmojnë se në shumë prej tokave të tyre bujqësore janë hapur vrima të mëdha, nga të cilat ka edhe rrjedhje uji, fenomen që sipas sizmiologëve ndodh shpesh gjatë tërmeteve të fuqishme./Gazeta Sinjali/