Një shtetas shqiptar ka mbetur i plagosur në Greqi pas një shkëmbimi zjarri me policinë greke.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:00 të mëngjesit, kur efektivë të Njësisë Kundër Shantazheve po kryenin një kontroll rutinë në zonë. Pas një ndjekjeje të shkurtër, i dyshuari ka tentuar të largohet, por situata ka përfunduar me shkëmbim zjarri, ku ai ka mbetur i plagosur.
I dyshuari është identifikuar si Alesio Xhelo, 41 vjeç, nga Fieri, i njohur në Greqi me nofkën “Titi”, person me precedentë të rëndë penalë. Ai më parë ka përdorur edhe emrin Astrit Hasani.
Nuk dihet se si Xhelo ka përfunduar në Greqi, pasi të paktën deri vitin e kaluar ai ndodhej në “arrest shtëpie” në Fier me mbikëqyrje 24-orëshe nga FNSH, nën akuzat “Trafikimi i armëve dhe municionit luftarak”, “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, dhe “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit” e mbetur në tentativë.
Më 30 mars 2025, ai ishte arrestuar pasi kishte kanosur, sharë, ofenduar dhe kërcënuar punonjësin e policisë të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Fier, i cili ishte në shërbim dhe në mbikëqyrje të këtij shtetasi.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!