Sot një aksident i rëndë ka ndodhur në fshatin Zajm të Klinës ku kanë mbetur të vdekur dy persona, njëri prej tyre i moshës 8-vjeçare, shkruan Gazeta Sinjali.
Viktimat ishin nip e axhë dhe siç mëson Sinjali ata vijnë nga fshati Qupevë e Lartë e komunës së Klinës. Bëhet fjalë për Miftar dhe Avni Gashin.
Avniu dhe Miftari, sipas Policisë, fillimisht kanë pësuar lëndime të rënda trupore, pastaj janë dërguar në Spitalin e Pejës dhe mjeku kujdestar ka njoftuar se ata kanë arritur atje pa shenja jete.
“Në këtë aksident ishin të përfshira një veturë dhe një kamion, si pasojë fillimisht dy (2) persona kanë pësuar lëndime trupore, të lënduarit me auto-ambulancë janë dërguar në emergjencën e Spitalit Rajonal në Pejë, nga mjeku kujdestar është konfirmuar se dy (2) personat e lënduar një (1) fëmije dhe një (1) person i moshës madhore kanë arritur në Spital pa shenja jete“, thuhet në njoftim.
Gazeta Sinjali ka publikuar edhe fotografi nga vendi ku ndodhi aksidenti, ku shihet se automjetet kanë pësuar dëme të mëdha.