image Paraqitet kallëzim penal ndaj 10 personave të dyshuar për trafikimin e 51 lëmoshëkërkuesve

Drejtësi

Paraqitet kallëzim penal ndaj 10 personave të dyshuar për trafikimin e 51 lëmoshëkërkuesve

news image

Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, ka njoftuar për paraqitjen e kallëzimit penal ndaj 10 personave të dyshuar për “trafikim me qenie njerëzore” dhe inicimin e 9 rasteve të ‘keqtrajtimit apo braktisjes së fëmijës’ sipas nenit 250 të Kodit Penal të Kosovës, raporton Gazeta Sinjali.

Përmes një kumtese për media, kjo drejtori njofton se në kuadër të kampanjës “Mos hesht – ndal trafikimin me njerëz”, është bërë identifikimi i viktimave të trafikimit.

“Gjatë zbatimit të këtij plani operativ ndër të tjera është angazhuar një numër i konsiderueshëm i personelit policor në disa regjione, me ç’rast është bërë identifikimi i personave të përfshirë: 16 (gjashtëmbëdhjetë) lëmoshëkërkues të rritur (nga ta 10 shtetas kosovarë dhe 6 shqiptarë) dhe 35 (tridhjetë e pesë) fëmijë lëmoshëkërkues (nga ta 28 shtetas kosovarë dhe 7 shtetas shqiptarë)”, thuhet në komunikatë.

Me qëllim të parandalimit dhe identifikimit në faza të mëhershme të viktimave të mundshme të rasteve të trafikimit me qenie njerëzore, DHTQNJ njofton se ka implementuar një plan operativ të koduar si “Identifikimi i fëmijëve në situatë rruge si viktima të mundshme të trafikimit” në disa regjione të Kosovës, nga data 26 e deri me 30 tetor 2020.

Po ashtu, DHTQNJ në vazhdën e procedurave për trajtimin e rasteve të gjithë fëmijëve lëmoshëkërkues, bën të ditur se në prani të punëtorëve të QPS-së, u është plotësuar formulari për shënimet e lëmoshëkërkuesve, ku të njëjtit kanë qenë të shoqëruar nga familjarët e tyre dhe të pajisur me dokumente.

Për çdo informacion relevant ju mund të kontaktoni Policinë e Kosovës në numrat e telefonit pa pagesë: 192 dhe 0800 11 112./Gazeta Sinjali/