image Paralajmërojnë mjekët: Në vjeshtë mund të rritet numri i infektimeve me koronavirus

Shëndetësi

Paralajmërojnë mjekët: Në vjeshtë mund të rritet numri i infektimeve me koronavirus

news image

Imunizimi i ngadaltë i popullsisë nga profesionistët shëndetësorë po shihet si rrezik potencial që Kosova të përfshihet nga një valë e re e virusit gjatë muajve në vijim.

Ndër infektologë dhe pulmologë rekomandohet imunizim sa më masiv si armë e vetme për ta mundur pandeminë.

Ndonëse situata epidemiologjike me koronavirus është përmirësuar në vendin tonë, shqetësimi mbetet goditja nga një valë e re infektimesh muajve vijues.

Infektologu Sali Ahmeti parashikon që në vjeshtë mund të ketë rritje të numrit të të infektuarve me Covid-19.

“Personalisht mendoj që nuk e kemi përfunduar krejt, çështja e pandemisë nuk është çështje lokale por globale. Ne nuk mund të përfundojmë asgjë pa u përfunduar edhe në rajon. Situata në Britani dhe vende tjera po vërehet që ka nisur të rriten rastet, ekziston mundësia që nga shtatori të kemi rritje të rasteve, por jo valë shpërthyese siç ishte në korrik e gusht të vitit 2020”, deklaroi ai.

Për pulomologun Besim Morina, rrezik për një valë të re infektimesh në vendin tonë përbën numri i vogël i qytetarëve të vaksinuar kundër koronavirusit.

“Përderisa nuk kemi numër të konsiderueshëm të të vaksinuarve ne gjithmonë jemi të rrezikuar për një valë të re”, tha ai për RTV21.

Në Ministrinë e Shëndetësisë nuk folën për rritjen e numrit të të vaksinuarve. Ditë më parë në vendin tonë u konfirmuan rastet e para me variantin Delta i cili tashmë është përhapur në mbi 90 vende dhe vlerësohet si kërcënim për shëndetin publik./Gazeta Sinjali/