image Ndodh edhe kjo: 45-vjeçari me armë lodër në brez kërcënon zyrtaren e Komunës së Kamenicës

Siguri

Ndodh edhe kjo: 45-vjeçari me armë lodër në brez kërcënon zyrtaren e Komunës së Kamenicës

news image

Një rast i pazakontë ka ndodhur sot në objektin e Komunës së Kamenicës, ku një person ka zgjedhur një mjet interesant për të kanosur zyrtaren e kësaj Komune, M.A.,(emër i njohur për redaksinë), shkruan Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se 45-vjeçari (emër i njohur për redaksinë),  kishte shkuar në objektin e Komunës së Kamenicës kinse për të rregulluar disa dokumente dhe për këtë ishte drejtuar në zyrën e zyrtares M.A.

Me të hyrë në zyrën e saj, ai kishte filluar të ankohej, duke ngritur zërin dhe me dorë në brez, ku mbante edhe një pistoletë, ai shprehte pakënaqësitë e tij për ‘shërbimet’ që synonte t’i merrte.

Veprimet e 45-vjeçarit krijuan frikë te zyrtarja e Komunës se do t’i ndodhte një e keqe dhe për ta parandaluar këtë, ajo kishte telefonuar Policinë.

Sinjali mëson se me të arritur Policia, është bërë lokalizimi dhe kontrolli trupor i të dyshuarit, me ç’rast në brez të tij është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë plastike që kryesisht përdoret si lodër nga fëmijët.

Lidhur me rastin është njoftuar edhe prokurori kujdestar, i cili bazuar në informacionet e para dhe deklaratën e zyrtares, rastin e ka cilësuar si ‘Kanosje’ dhe ka vendosur që të trajtohet në procedurë të rregullt.

/GazetaSinjali/